Trabzonspor fitoi një ndeshje dramatike me rezultatin 4-3 përballë Rizespor, në një sfidë ku protagonistë absolutë ishin dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi dhe Qazim Laçi.
Skuadra vendase e Rizespor e mbylli pjesën e parë të takimit me një avantazh të dyfishtë prej 2-0, por miqtë reaguan fuqishëm në fraksionin e dytë.
Ernest Muçi riktheu ekuilibrat duke dhuruar dy asiste të njëpasnjëshme në minutat 49 dhe 51, të cilat sollën barazimin e shifrave për Trabzonsporin.
Fantazisti kuqezi ishte vendimtar edhe në golin e tretë të përmbysjes, pasi një gjuajtje e tij e ndalur nga portieri u shfrytëzua nga Franculino për të shënuar golin e avantazhit.
Megjithatë, vendasit gjetën sërish forcën për të reaguar dhe barazuan në minutën e 68-të me anë të një tjetër shqiptari, Qazim Laçit. Mesfushori dhuroi spektakël me një supergol të realizuar nga jashtë zonës që la të shtangur portierin Onana, duke regjistruar golin e tij të dytë sezonal në Turqi.
Fati i këtij takimi u vendos përfundimisht në minutën e 83-të nga Franculino, i cili shënoi golin e fitores falë asistit të tretë personal të Muçit në këtë mbrëmje.
Me këtë sukses të katërt radhazi, Trabzonspor mban vendin e dytë me 19 pikë, ndërsa Muçi, i shpallur padyshim lojtari i ndeshjes, shkon në kuotën e pesë asisteve dhe dy golave këtë sezon në Superligë.
SHIKONI GOLAT: KLIKO KËTU Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

