Lajme Zone
“Shqipëria të ruajë ritmin e reformave”/ Integrimi, Kos: Për Malin e Zi janë momente vendimtare
PolitikëABC News Albania

“Shqipëria të ruajë ritmin e reformave”/ Integrimi, Kos: Për Malin e Zi janë momente vendimtare

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Budva.

Ajo theksoi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e rajonit, duke nënvizuar sfidat e Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës në rrugën e tyre evropiane.

Sa i përket Shqipërisë, Kos bëri thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe të përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo e cilësoi takimin e liderëve të rajonit si një mundësi të rëndësishme për të diskutuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Ky është vendi që kam vizituar më shumë se çdo vend tjetër gjatë këtij viti, gjë që është e natyrshme, pasi Mali i Zi është vendi që po përparon më shumë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Jam gjithmonë i lumtur të rikthehem për të parë nga afër se si po ecën përpara një vend që është i vendosur të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të gjithë ne. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit. Për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe, sigurisht, për Kosovën, zgjedhja vendimtare është të vazhdojë të ecë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shtetin e së drejtës.

Pikërisht për këtë arsye, mendoj se është shumë pozitive që udhëheqësit e rajonit dhe të gjithë Procesit të Berlinit janë mbledhur sot në këtë vend të bukur, Malin e Zi”, tha Kos.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian mblidhen sot në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për perspektivën europiane të rajonit, me fokus bashkëpunimin mes vendeve dhe reformat që nevojiten për avancimin drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë samit do të marrë pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Pjesë e takimit do të jenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kancelari austriak Christian Stocker dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në nivel europian dhe ndërkombëtar, në aktivitet do të marrin pjesë ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ministri francez për Europën Benjamin Haddad dhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos. Prania e tyre nënvizon rëndësinë që procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor vijon të ketë në agjendën europiane.

Në qendër të diskutimeve do të jetë e ardhmja europiane e rajonit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe përmbushja e reformave të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rrugës së Malit të Zi drejt Bashkimit Europian. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit EvropianMali i ZiMarta KosShqipëria