Kombëtarja shqiptare rikthehet në fushë këtë mbrëmje për ndeshjen e dytë të Nations League, ku do të përballet me San Marinon. Kuqezinjtë synojnë të vijojnë rrugëtimin në këtë kompeticion, ndërsa trajneri Roland Maran ka bërë zgjedhjet e tij për sfidën e sotme.
Tekniku italian ka përcaktuar edhe futbollistët që nuk do të jenë pjesë e 23-shes për këtë përballje. Feta Fetai dhe Sabah Kerjota do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna, ndërsa jashtë listës është edhe Klisman Cake, i cili nuk mund të luajë për shkak të një problemi fizik.
Ndërkohë, Simon Simoni nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këtë takim, pasi është bashkuar me Kombëtaren U21, e cila do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Ukrainës.
Një rikthim në listën e Maranit është ai i Luis Hasës. Mesfushori ishte lënë në tribunë në sfidën ndaj Bjellorusisë, por këtë herë është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij ndaj San Marinos.
Përballja e sotme do të drejtohet nga një trupë arbitrash hungarezë, ndërsa historia është tërësisht në favor të kuqezinjve. Shqipëria ka fituar të katër ndeshjet e luajtura deri më tani ndaj San Marinos, duke e nisur kështu sfidën e radhës me një bilanc perfekt në përballjet direkte.
Tashmë mbetet për t'u parë se cilët do të jenë 11 titullarët që Maran do të hedhë në fushë dhe nëse Shqipëria do të arrijë të marrë një tjetër rezultat pozitiv në Nations League.

