Lajme Zone
PolitikëABC News Albania

Shqipëria, më pranë anëtarësimit në BE/ Ekspertja: Kemi bërë progres, duhet të ecim me shpejtësi


TIRANË- Shqipëria vijon përparimin në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

TIRANË- Shqipëria vijon përparimin në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian do të zhvillojnë nesër në Luksemburg konferencën e dhjetë ndërqeveritare, duke shënuar një tjetër hap në rrugën drejt anëtarësimit në Union.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar këtë zhvillim si një tjetër dëshmi se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e kontributit për forcimin e sigurisë si një kusht për anëtarësimet e reja. E ftuar në “News Line”, ekspertja për çështjet e integrimit, Nirvana Deliu, e vlerësoi pozitivisht këtë zhvillim, duke theksuar se Shqipëria po mbyll një tjetër kapitull të negociatave dhe kështu afrohet me një tjetër hap drejt objektivave për t’u bërë pjesë e BE-së.

“Një hap shumë pozitiv, që ne mbyllim kapitullin e katërt nga 33 kapitujt në total. Ky është një nga ata kapituj që Shqipëria ka bërë progres dhe mund të quhet tashmë i mbyllur. Puna mbetet tashmë për të parë se sa do të kemi eficiencë në realizimin e konferencave të tjera ndërqeveritare, që do të përktheheshin me mbylljen e kapitujve të tjerë”, u shpreh Deliu.

Sipas ekspertes, ky kapitull nuk është ndër më teknikët, por ka rëndësi për shkak të rolit që çështjet e biznesit po marrin në prioritetet e Bashkimit Europian.

Ajo theksoi se Shqipëria duhet të vijojë me ritme të shpejta në procesin e integrimit, pa lënë pas dore cilësinë e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve.

“Duhet të ecim me shpejtësi, por nuk duhet të harrojmë edhe pjesën e cilësisë. Gjithë muaji tetor ka kryefjalë zgjerimin. Jemi shumë afër finishit”, deklaroi Nirvana Deliu./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet