Shqipëria mund të duket si një histori suksesi në energjinë e rinovueshme, por pas shifrës rekord prej 105.2% fshihet një dobësi e madhe e sistemit energjetik. Vendi është pothuajse tërësisht i varur nga hidrocentralet, çka e bën prodhimin të luhatet ndjeshëm sipas reshjeve, shkruan Në vitet e thata, Shqipëria detyrohet të importojë energji me çmime të tregut, duke ekspozuar buxhetin dhe konsumatorët ndaj goditjeve të jashtme.
IntelliNews, media ndërkombëtare e specializuar në zhvillimet ekonomike, e vë theksin pikërisht te ky paradoks. Një vend që prodhon energji të gjelbër në nivele rekord, por që mbetet vulnerabël kur lumenjtë dhe hidrocentralet nuk kanë ujë, shkruan politiko.al. "Burimet e rinovueshme përbënin 105.2% të konsumit bruto të energjisë elektrike në Shqipëri gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat. Shifra mbi 100% shpjegohet me faktin se Shqipëria prodhon më shumë energji elektrike nga burimet e rinovueshme sesa konsumon në total. Vetëm Norvegjia dhe Islanda kanë një përqindje më të lartë në Evropë, ndërsa Shqipëria renditet përpara të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilit synon t’i bashkohet.
Në tërësi, BE-ja arriti në 49.9% në vitin 2025, me një rritje prej 2.4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024 dhe nga vetëm 15.9% në vitin 2004, kur nisi seria e të dhënave.
Ndër vendet anëtare të BE-së, Austria kryesoi me 90.8%, e ndjekur nga Suedia me 89.2%. Më pas renditen Danimarka me 77.7%, Portugalia me 65.6%, Greqia me 60.9% dhe Spanja me 60.7%, të gjitha mbi nivelin 60%. Në fund të renditjes ndodhen Malta me 11.2%, Çekia me 19.2%, Luksemburgu me 23.3%, Sllovakia me 24.1% dhe Qiproja me 27.5%.
E njëjta seri e Eurostat e rendiste Shqipërinë në nivelin 85% në vitin 2016, sërish përpara çdo vendi të BE-së dhe pas vetëm Islandës e Norvegjisë. Renditja ka ndryshuar pak gjatë nëntë viteve të fundit, ndërsa vetë shifra është rritur me më shumë se 20 pikë përqindjeje", shkruan media e huaj. Sipas shkrimit, një pjesë e kësaj rritjeje lidhet me kapacitetet e reja të prodhimit, shkruan politiko.al.
"Por pjesa më e madhe vjen nga uji. Vetëm hidrocentrali i Komanit në lumin Drin siguron rreth 65% të energjisë elektrike të Shqipërisë. Ai është pjesë e një sistemi hidroenergjetik të ndërtuar kryesisht gjatë periudhës së komunizmit dhe të zgjeruar më pas me investime private, përfshirë ato të kompanisë norvegjeze Statkraft.
Në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor është ndërtuar gjithashtu një numër i madh hidrocentralesh të vegjël. Kjo ka shkaktuar kritika të vazhdueshme nga organizatat mjedisore, të shqetësuara për pasojat mbi lumenjtë e paprekur të Evropës.
Megjithatë, prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme në Shqipëri mund të luhatet ndjeshëm nga një vit në tjetrin, pasi një sistem energjetik që mbështetet pothuajse tërësisht te hidrocentralet është i varur drejtpërdrejt nga kushtet atmosferike.
Prodhimi neto i energjisë u rrit me 24.1% në vitin 2015 dhe me 21.7% në vitin 2016. Më pas vendi u përball me një thatësirë të zgjatur: prodhimi ra me 36.6% në vitin 2017, ndërsa operatorët privatë të hidrocentraleve regjistruan rënie dyshifrore të të ardhurave. Kur reshjet u rikthyen, prodhimi u rrit me pothuajse katër herë në bazë vjetore gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018.
Këto luhatje ndikojnë edhe në buxhetin e shtetit. Në një vit të thatë, Shqipëria kthehet në importuese neto të energjisë elektrike dhe detyrohet ta blejë atë me çmimet e tregut rajonal. Në vitin 2022, kjo nënkuptoi blerje në një periudhë kur çmimet evropiane të energjisë arritën nivele shumë të larta.
Kjo rrezikon të bëhet edhe më problematike në të ardhmen, pasi parashikimet klimatike për pellgun e Mesdheut tregojnë drejt verave më të thata e më të nxehta dhe reshjeve më të paqëndrueshme. Kjo përbën një rrezik strukturor afatgjatë për sistemin energjetik shqiptar, i cili mbështetet kryesisht te hidrocentralet.
Në aspekte të tjera, megjithatë, pozita e Shqipërisë duket e favorshme. Këtë pranverë, vendi e përballoi krizën energjetike të shkaktuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pikërisht sepse sistemi i tij elektrik përdor shumë pak gaz të importuar", thuhet në artikull. "Ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në tremujorin e katërt të vitit 2025, e mbështetur nga konsumi i familjeve, investimet private dhe eksportet e shërbimeve. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë mbajti normën bazë të interesit në 2.5% në muajin maj, duke parashikuar se rritja e çmimeve të naftës do të ndikonte vetëm përkohësisht në inflacion.
“Rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend”, deklaroi më 6 maj guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke shtuar se nuk priste dëme afatgjata.
Kjo mbrojtje nga goditjet e jashtme është reale, por e pjesshme. Shqipëria vazhdon të importojë produkte nafte për transportin dhe industrinë, ndaj goditja e çmimeve energjetike ndihet më shumë te pompa e karburantit sesa te priza elektrike", shkruan IntelliNews. Shqipëria po investon te dielli dhe eraZgjidhja ndaj varësisë nga kushtet atmosferike nuk mund të jetë ndërtimi i më shumë hidrocentraleve. Për këtë arsye, gjatë pesë viteve të fundit Shqipëria ka shtuar investimet në energjinë diellore dhe atë të erës.
Parku fotovoltaik i Karavastasë, me kapacitet prej 140 MW, i ndërtuar nga kompania Voltalia dhe më i madhi në Ballkanin Perëndimor, ka nisur punën në dhjetor 2023. Pas tij erdhi projekti i dytë i kompanisë franceze në Shqipëri, parku diellor i Spitallës me kapacitet 100 MW.
Më pas, një ankand për 300 MW energji diellore prodhoi tetë fitues, ndërsa tashmë janë dhënë licenca për rreth 980 MW kapacitete diellore.
Ndërkohë, kompania Total Eren, pjesë e TotalEnergies, dhe kompania austriake Verbund ishin ndër ofertuesit fitues të ankandit të parë të Shqipërisë për energjinë e erës, të zhvilluar në vitin 2023.
Shqipëria spikat në një rajon ku prodhimi i energjisë nga qymyri është ende normë. Ndryshe nga sistemi shqiptar i mbështetur në hidrocentrale, shumica e vendeve të ish-Jugosllavisë kanë sisteme energjetike që varen në masë të madhe nga qymyri.
Kosova, në veçanti, vazhdon të prodhojë pothuajse të gjithë energjinë elektrike në termocentrale të vjetra me qymyr dhe renditet e fundit në Evropë, me vetëm 9.4% të energjisë së konsumuar të prodhuar nga burimet hidroenergjetike.
Dy vende fqinje, që ndajnë një kufi, një lidhje të përbashkët energjetike dhe një gjuhë, kanë kështu një diferencë prej rreth 96 pikë përqindjeje në përdorimin e energjisë së rinovueshme.
Sipas statistikave mujore të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Ballkani Perëndimor prodhoi 65.8 TWh energji elektrike në vitin 2025, ku pak më pak se gjysma, 48.2%, erdhi nga qymyri.
Serbia, prodhuesi më i madh i rajonit me 34.3 TWh, prodhoi 62% të energjisë nga qymyri dhe 31.5% nga burimet e rinovueshme. Bosnje-Hercegovina, me 14.5 TWh, prodhoi 56.1% nga qymyri dhe 43.5% nga burimet e rinovueshme.
Maqedonia e Veriut arriti 55.3% energji të rinovueshme, megjithëse 28.6% e prodhimit të saj vinte ende nga qymyri dhe 14.1% nga gazi. Mali i Zi arriti në 77.9%, duke qenë vendi që i afrohet më shumë Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër e prodhimit të tij, 22.1%, vinte nga qymyri.
Nëse Shqipëria përjashtohet nga llogaritja, rajoni prodhon 39% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Me përfshirjen e Shqipërisë, shifra rritet në 46.8% – dhe Shqipëria kontribuon vetëm me 12.8% të prodhimit të përgjithshëm energjetik të rajonit.
Pra, një vend relativisht i vogël po mban një peshë të konsiderueshme të prodhimit të gjelbër të energjisë në Ballkanin Perëndimor, dhe këtë e bën kryesisht falë ujit.
Por kontrasti është edhe më i madh nga sa tregojnë shifrat. Qymyri nuk përdoret vetëm për konsum të brendshëm. Bosnje-Hercegovina prodhoi vitin e kaluar 133% të konsumit të saj final, ndërsa Serbia 110%, duke eksportuar tepricën në rrjetin rajonal, nga i cili furnizohet edhe Shqipëria.
Kur lumenjtë shqiptarë kanë më pak ujë – si në vitin 2019, kur prodhimi ra në 5.2 TWh nga 8.5 TWh një vit më parë – energjia që zëvendëson prodhimin vendas vjen kryesisht nga termocentralet me linjit të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Kështu, prodhimi 100% i rinovueshëm i Shqipërisë dhe 3.4 TWh energji të importuar vitin e kaluar janë në fakt dy anë të së njëjtës histori: Shqipëria është një vend i gjelbër kur ka reshje të mjaftueshme, por kur uji mungon, ajo lidhet me një rrjet rajonal ku qymyri ende luan një rol të rëndësishëm./Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

