Publicisti dhe shkrimtari Mustafa Nano e sheh Shqipërinë larg Bashkimit Europian. Duke analizuar zhvillimet në vendin tonë, ai është i mendimit se ende nuk meritojmë integrimin në union. “Qytetërimi europian ka vlera të tjera, të cilat nuk kanë lidhje me vlerat tona. Ne e dimë cilat janë vlerat tona… që mund të jenë edhe antivlera. Ne kemi ende Kodin e Nderit, që e kemi në qendër të ethosit tonë, edhe qenia më e sofistikuar nuk i ikën dot këtij kurthi. Sot, shqiptarit i nëpërkëmbet nderi edhe kur e parakalon në autostradë. Neve po na jepet si dhuratë (integrimi në BE) sepse nuk e meritojmë, ne të gjithë e dimë këtë gjë”, tha Mustafa Nano-autor i veprës.
Këtë qëndrim, autori e argumenton në romanin e tij më të ri, botim i UET Press “Odeja e gëzimit”, që merr titullin nga Simfonia Nr.9 e Beethoven e përdorur për himnin e BE. Por çfarë ndodh kur ideale që synon të ruajë unioni përballen me realitetin shqiptar, ambiciet personale, balancat politike dhe interesat që shpesh mbizotërojnë mbi të mirën e përbashkët?
“Ka një titull ironik. Ka goxha dizonancë midis titullit dhe rrëfimit brenda. Ka përçarje aty brenda, ka tensione dhe zhgënjim”, u shpreh Prof. Dr. Belinda Budini, dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, UET.
“Jam pesimist. Njerëzit zakonisht nuk e thonë këtë gjë në publik. Por unë e përcjell dëshpërimin që kam”.
Një lidhje e fshehtë me kryeministren dhe një ngjarje kriminale që hedh hije mbi botën e pushtetit. Mustafa Nano i vendos ngjarjet në Shqipërinë e vitit 2030, por nuk na ofron një Shqipëri që e ka kapërcyer plotësisht të shkuarën. Ndryshojnë emrat, institucionet dhe personazhet, por disa mekanizma duken të njohur: lufta për pushtet, rivalitetet dhe korrupsioni.
“Është një Shqipëri që nuk ndryshon shumë nga Shqipëria e sotme, sepse Shqipëria në përgjithësi ndryshon shumë pak me kalimin e kohës”.
Autori kërkon të shohë më thellë shtresat kulturore dhe psikologjike që ndikojnë në sjelljet individuale dhe kolektive. Në këtë këndvështrim, duke diskutuar me pedagogë dhe studentë për “Odenë e Gëzimit”, ai jep qëndrimin edhe për protestat që kanë nisur prej qershorit në Shqipëri.
“Fillimisht mori zjarr nga një ngjarje skandaloze kur një njeri u mor zvarrë në Zvërnec. Nëse ai nuk do ishte tërhequr zvarrë, ne do ishim akoma pa lëvizje studentore. Nuk morën shkas nga gjëra të tjera që kishin ndodhur. Unë i mbështes, por dhunën nuk e duroj dot sepse nuk përcjell asnjë mesazh”.
Mustafa Nano ofron këtë roman artistik për lexuesin në një përpjekje për të kuptuar jo vetëm çfarë bëjnë njerëzit, por edhe pse veprojnë dhe sillen në mënyra të caktuara. Top Channel

