Pas 7 vitesh ndalim, Shqipëria po përgatitet të rikthejë bastet sportive online në një treg të rregulluar. Kuadri ligjor është gati, por ka jo pak pikëpyetje për numrin e licencave, përqendrimin e tregut dhe transparencën e procesit... Pas 7 vitesh ndalim, Shqipëria po përgatitet të rikthejë bastet sportive online në tregun e rregulluar. Qeveria ka përfunduar kuadrin nënligjor të nevojshëm për funksionimin e sistemit të ri, megjithëse procedura për dhënien e licencave nuk është hapur ende zyrtarisht.
Në sfond mbetet një treg i paligjshëm me përmasa të konsiderueshme dhe debati nëse modeli i ri do të arrijë të garantojë kontrollin, orientimin e aktivitetit drejt kanaleve të ligjshme dhe mbrojtjen e lojtarëve.
Kur në vitin 2019 Shqipëria vendosi ndalimin e basteve sportive dhe të një pjese të madhe të aktiviteteve të lojërave të fatit, objektivi i deklaruar ishte frenimi i një fenomeni që ishte bërë veçanërisht i dukshëm dhe shqetësues në qytetet e vendit.
Agjencitë e basteve ishin përhapur pothuajse në çdo lagje dhe qeveria vendosi të ndërhynte me një nga masat më të ashpra të ndërmarra në rajon. Shtatë vjet më vonë, situata ka ndryshuar ndjeshëm.
Agjencitë fizike vijojnë të jenë të ndaluara, por qeveria shqiptare po përgatitet të lejojë sërish bastet sportive përmes internetit, duke e pranuar në praktikë se ndalimi nuk e ka zhdukur fenomenin, i cili ka vijuar të zhvillohet përmes platformave të paautorizuara.
Kthesa ligjore kishte nisur që në vitin 2024, kur parlamenti miratoi ligjin për rikthimin e basteve sportive online. Që atëherë, qeveria ka punuar për hartimin e akteve nënligjore që nevojiten për ta bërë funksional tregun e ri.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Ministria e Financave ka konfirmuar se të gjitha aktet zbatuese tashmë janë miratuar dhe kuadri rregullator mund të konsiderohet i plotë. Pra sistemi është gati nga pikëpamja ligjore, ndërsa mbetet edhe hapi vendimtar: hapja zyrtare e procedurës konkurruese për dhënien e licencave.
Deri në 10 operatorë, por numri përfundimtar ende nuk dihet
Modeli i ri parashikon deri në 10 licenca kombëtare për bastet sportive online. Kjo nuk do të thotë se të gjitha do të jepen domosdoshmërisht që në procedurën e parë. Komisioni përgjegjës do të vendosë se sa autorizime do të nxirren në garë.
Ky është një nga elementet që po ushqen debatin në vend, pasi një numër shumë i kufizuar operatorësh në fazën fillestare, mund të çojë në një përqendrim të lartë të tregut. Procedura do të jetë konkurruese dhe do të bazohet në një sistem vlerësimi deri në 100 pikë.
Peshë të rëndësishme do të kenë si oferta ekonomike, ashtu edhe përvoja e kompanive në sektorin e lojërave të fatit. Po ashtu, do të vlerësohen struktura organizative dhe administrative e kompanisë, kapacitetet teknologjike dhe softuerike, si dhe plani i biznesit për aktivitetin në Shqipëri.
Operatorët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin brenda 45 ditëve nga publikimi i njoftimit të garës dhe të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje të pakthyeshme prej 500 mijë lekësh.
Legjislacioni synon qartësisht kompani me përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare.
Ndër kriteret e përcaktuara është që ato të jenë shoqëri aksionere me seli në Shqipëri, të kenë një kapital minimal dhe të kenë ushtruar më parë aktivitet në sektorin e lojërave të fatit në disa tregje të Bashkimit Evropian ose të vendeve të OECD-së. Parashikohen gjithashtu garanci të posaçme financiare për të siguruar pagesën e fitimeve.
Një treg vetëm online
Reforma nuk përfaqëson rikthimin e modelit që ekzistonte para vitit 2019. Agjencitë fizike të basteve, do të vazhdojnë të jenë të ndaluara dhe rihapja do të kufizohet vetëm te bastet sportive online. Qeveria synon të shfrytëzojë natyrën dixhitale të këtij tregu për të forcuar gjurmueshmërinë dhe kontrollin.
Lojtarët do të duhet të identifikohen përmes sistemeve të lidhura me dokumentet kombëtare të identifikimit, ndërsa transaksionet do të kryhen vetëm përmes instrumenteve financiare të gjurmueshme. Pagesat në cash nuk do të lejohen.
Operatorët do të jenë të detyruar të ruajnë të dhënat mbi aktivitetin e klientëve dhe t'u mundësojnë autoriteteve monitorimin e transaksioneve. Një pjesë e rëndësishme e sistemit rregullator, është integrimi i platformave të operatorëve me sistemet e autoritetit shqiptar përgjegjës për mbikëqyrjen e lojërave të fatit.
Gjatë këtij viti janë përcaktuar edhe procedurat për pezullimin dhe revokimin e licencave. Në rastin e shkeljeve të caktuara, autoriteti mund të nisë procedura ndaj operatorit dhe, në rastet më të rënda ose të përsëritura, të shkojë deri në heqjen e licencës.
Tregu i paligjshëm mbetet konkurrenti kryesor
Pikëpyetja më e madhe lidhet me aftësinë e sistemit të ri për t'i zhvendosur lojtarët nga platformat e paautorizuara drejt tregut të rregulluar. Sipas vlerësimeve të publikuara së fundmi nga mediat, vetëm tregu i parregulluar i basteve sportive online mund të ketë gjeneruar gjatë vitit 2025 rreth 126 milionë dollarë fitime.
Nëse llogariten edhe produktet e tjera të lojërave online të paautorizuara, si kazinotë dhe pokeri, vlera totale do të ishte ndjeshëm më e lartë. Kjo shifër na ndihmon për të kuptuar një nga arsyet kryesore që qëndrojnë pas ndryshimit të strategjisë së qeverisë.
Ndalimi e reduktoi ndjeshëm praninë e basteve në rrugët e qyteteve shqiptare, por nuk arriti ta zhdukte kërkesën. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit u zhvendos në internet, jashtë kontrollit të autoriteteve kombëtare. Prandaj, modeli i ri synon të zëvendësojë ndalimin absolut me një treg të kufizuar, tërësisht dixhital dhe nën mbikëqyrje.
Përfitimet ekonomike që priten nga kjo reformë nuk janë të vogla. Sipas vlerësimeve të publikuara në vend, regjimi i ri mund t’i sigurojë financave publike rreth 20 milionë euro të ardhura në vit. Një pjesë e të ardhurave të krijuara nga sektori do të kalojë gjithashtu në një fond të posaçëm për financimin e aktiviteteve në sport, kulturë, teknologji dhe inovacion.
Vetëpërjashtimi dhe mbrojtja e lojtarëve
Krahas krijimit të sistemit të licencave, Shqipëria ka miratuar gjatë këtij viti edhe mekanizma të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorëve. Mes tyre është një regjistër elektronik kombëtar i personave të përjashtuar nga lojërat e fatit, i administruar nga autoriteti mbikëqyrës dhe i aksesueshëm nga operatorët e licencuar.
Sistemi synon të pengojë personat e regjistruar që të përdorin faqet, aplikacionet dhe platformat e basteve që do t’i nënshtrohen rregullave të reja. Megjithatë, çështja e varësisë nga lojërat e fatit mbetet një nga pikat më të debatueshme të reformës.
Sipas raportimeve të mediave vendase, ekspertë dhe përfaqësues të opozitës kanë ngritur shqetësime mbi aftësinë e vendit për të përballuar pasojat sociale të një aksesi më të madh në lojërat online. Kalimi nga agjencitë fizike te telefoni inteligjent, ndryshon rrënjësisht mënyrën e konsumit.
Bastet mund të jenë të aksesueshme në çdo kohë dhe nuk lidhen më me praninë fizike në një pikë bastesh. Qeveria argumenton se identifikimi i lojtarëve, gjurmueshmëria e pagesave, vetëpërjashtimi dhe monitorimi i platformave do të mundësojnë një nivel kontrolli më të lartë se ai që ekzistonte mbi tregun e paligjshëm të krijuar gjatë viteve të ndalimit.
Gara mbetet hapi i fundit
Pavarësisht përfundimit të kuadrit rregullator, tregu shqiptar i basteve sportive online nuk mund të konsiderohet ende funksional. Procedura për dhënien e licencave nuk është hapur zyrtarisht, dhe aktualisht nuk rezultojnë operatorë të autorizuar në kuadër të regjimit të ri.
Komisioni i licencave do të vendosë se kur do të nisë gara dhe, mbi të gjitha, sa nga 10 autorizimet e mundshme do të nxirren fillimisht në treg. Pikërisht ky është hapi që industria po pret me më shumë interes. Pas ligjit të vitit 2024 dhe hartimit këtë vit të rregullave teknike, mekanizmave për mbrojtjen e lojtarëve, kritereve për përzgjedhjen e operatorëve dhe procedurave për pezullimin apo revokimin e licencave, Shqipëria ka tashmë arkitekturën ligjore të nevojshme për rihapjen e tregut.
Mbetet për t’u parë nëse modeli i ri do të arrijë objektivin kryesor të reformës: të rikthejë në kanalet e ligjshme një aktivitet, që pavarësisht 7 viteve të ndalimit, ka vijuar të zhvillohet online.
Kritikat për transparencën dhe rrezikun e përqendrimit të tregut
Procesi drejt hapjes së tregut nuk ka kaluar pa kritika. Nga disa segmente është ngritur shqetësimi për mungesën e informacionit të mjaftueshëm institucional mbi hapat e ardhshëm të reformës, e sidomos mbi numrin e licencave që do të nxirren realisht në garë.
Legjislacioni përcakton një kufi maksimal prej 10 autorizimesh, por nuk kërkon që ato të jepen të gjitha njëherësh. Komisioni përgjegjës mund të vendosë të hapë procedurën për një numër më të vogël licencash. Pikërisht kjo hapësirë vendimmarrjeje, ka nxiturr shqetësimet për strukturën e ardhshme të tregut.
Dhënia e vetëm një licence do të krijonte praktikisht një situatë monopol, ndërsa një numër shumë i kufizuar operatorësh mund të sillte një treg të përqendruar në pak duar. Kritikat më të forta vijnë nga opozita, e cila kërkon garanci më të mëdha për transparencën e procedurës dhe argumenton se miratimi i ligjit ka paraprirë përgatitjen e plotë të administratës publike që do të duhet ta zbatojë atë.
Dyshimet lidhen veçanërisht me kriteret për përzgjedhjen e operatorëve, verifikimin e pronarëve përfundimtarë të kompanive pjesëmarrëse, origjinën e kapitalit të investuar dhe lidhjet e mundshme mes aksionarëve.
Sipas kritikëve, fakti që procedura është formalisht konkurruese nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me mundësinë për t’i verifikuar në mënyrë transparente këto elemente. Frika e shprehur nga opozita, është se një sistem me pak licenca dhe me kontrolle të pamjaftueshme publike, mund t’u hapë rrugë interesave të veçanta ose kapitaleve me origjinë jo mjaftueshëm transparente.
Për këtë arsye kërkohet mbikëqyrje e plotë parlamentare dhe publike që nga fazat e para të procesit të licencimit. Kjo çështje merr edhe më shumë peshë për shkak të vlerës së konsiderueshme ekonomike që mund të ketë tregu.
Sfida për qeverinë shqiptare nuk do të jetë vetëm të rikthejë në ekonominë ligjore një pjesë të basteve që sot zhvillohen përmes kanaleve të paautorizuara, por edhe të dëshmojë se përzgjedhja e operatorëve të rinj do të bëhet mbi kritere të qarta, të verifikueshme dhe transparente, duke shmangur një përqendrim të tepruar të tregut./Pamfleti nga “jamma.it”baste online shqipëria Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Qeveria hungareze nis hetim zyrtar për 4iG, çfarë do të ndodhë me One Albania? 16 Gusht 2026, 14:4514:45Anti-Mafia Baste ilegale, call-center, trafik droge dhe tenderë/ Kush fshihet pas Shkëlzen Betaj, ish nr.2 i Hipotekës qe do financojë 5 kulla nga Tirana ne Velipojë? 15 Gusht 2026, 12:4012:40Anti-Mafia Dosja e Gjuhadolit, projekti para ekspertizës dhe licenca e refuzuar; çfarë i duhet të shpjegojë ministrit Blendi Gonxhe 14 Gusht 2026, 08:3708:37Anti-Mafia Etleva Shkoza (Çoka) merr leje për kulla 30 kate; kush fshihet pas arkitektes me 3 mbiemra? 13 Gusht 2026, 17:4017:40Anti-Mafia Kryetari i KPP, Ismail Shehu delegon kompetencat 10 ditë pas emërimit, modeli i ministrave për t'i shpëtuar SPAK-ut 13 Gusht 2026, 10:5010:50Anti-Mafia “Kurrë s’ke qenë pjesë e jona!” Ish-kolegët denoncojnë Ulian Shpatarakun: Letra 'bombë' që mbërriti në Pamfleti 12 Gusht 2026, 13:4913:49Anti-Mafia

