Zgjedhjet e tetorit në Izrael po kthehen në pengesë për fazën e radhës të planit amerikan për Gazën. Kryeministri Benjamin Netanyahu u ka thënë përfaqësuesve të Bordit të Paqes se avancimi i planit në prag të votimit për Knessetin është “problematik”, ndërsa Uashingtoni po shton presionin për çarmatimin e Hamasit, kalimin e Gazës nën një administratë teknokrate palestineze dhe nisjen e procesit që do t’i hapte rrugë tërheqjes izraelite. LEXO edhe...Parlamenti iranian çon përpara projektligjin që mund ta kthejë kontaktin me të huajt në vepër penale Mesazhi i Netanyahut, i raportuar nga CNN, është dhënë gjatë takimit të së hënës në Jerusalem me Jared Kushner, kreun e Bordit të Paqes Nikolay Mladenov dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Të tre kanë mbërritur në Izrael me synimin për ta kaluar planin e presidentit amerikan Donald Trump nga tryeza e negociatave në hapa konkretë në terren. Në qendër të bisedimeve është faza më e vështirë e planit me 20 pika të Trump: çarmatimi i Hamasit dhe e ardhmja e qeverisjes së Gazës. SHBA kërkon që Hamasi të dorëzojë armët, të çmontojë infrastrukturën e tij ushtarake dhe të heqë dorë plotësisht nga administrimi i Rripit të Gazës. Megjithatë, afrimi i zgjedhjeve izraelite në tetor duket se po ndikon në llogaritë e Netanyahut. Çdo lëvizje për Gazën në javët para votimit prek drejtpërdrejt një prej çështjeve më të ndjeshme të politikës së brendshme izraelite. Pavarësisht rezervave të raportuara, takimi nuk është mbyllur pa një marrëveshje. Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Izraeli dhe Bordi i Paqes do të krijojnë dy grupe pune. Njëri do të merret me çarmatimin dhe demilitarizimin e Gazës, ndërsa tjetri me emergjencat që prekin drejtpërdrejt popullsinë, nga uji i pijshëm dhe kanalizimet te çështjet e tjera të shëndetit publik. “Takimi ishte i gjatë, i thelluar dhe shumë produktiv. Ramë dakord me kryeministrin për rrugën përpara. Izraelitët do t’i japin një mundësi. Tani i takon Hamasit të tregojë nëse synon vërtet të zbatojë detyrimet”, tha një zyrtar i Bordit të Paqes për The Jerusalem Post. Presioni diplomatik nisi që një ditë më parë në Egjipt. Kushner, Mladenov dhe Blair zhvilluan takime në El Alamein me zyrtarë të lartë egjiptianë dhe ndërmjetës të tjerë, përpara se të udhëtonin drejt Jerusalemit. Ata u takuan edhe me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, strukturën teknokrate që parashikohet të marrë gradualisht në dorë administrimin e territorit. Plani që po negociohet synon një Gazë ku Hamasi të mos ketë më as kontroll politik dhe as kapacitete ushtarake. Kalimi i qeverisjes te komiteti palestinez, çarmatimi i Hamasit dhe çmontimi i infrastrukturës së tij ushtarake do të krijonin më pas kushtet për vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe tërheqjen e mëtejshme të forcave izraelite. Në të njëjtën kohë, Bordi i Paqes kërkon të përshpejtojë hyrjen e ndihmave humanitare dhe rindërtimin e Gazës, por duke ngritur një sistem që të garantojë se ndihmat nuk përfjnë nën kontrollin e Hamasit. “Hamasi duhet të heqë dorë nga qeverisja, nga të gjitha armët dhe nga infrastruktura ushtarake. Gaza nuk mund të shërbejë më kurrë si burim terrorizmi kundër Izraelit”, deklaroi zyrtari. Takimet e fundit tregojnë se negociatat kanë hyrë në pikën ku nuk diskutohet më vetëm armëpushimi, por se kush do ta qeverisë Gazën, kush do të garantojë sigurinë dhe në çfarë kushtesh Izraeli do të tërhiqet. Pikërisht në këtë moment, Uashingtoni kërkon përshpejtim, ndërsa Netanyahu sinjalizon se kalendari elektoral në Izrael mund ta bëjë shumë më të vështirë marrjen e vendimeve para zgjedhjeve të tetorit. U.D/ReportTv.al Hamas Gaza bordi i paqes Izrael Jared Kushner Benjamin Netanyahu Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 59.1% Shoqëria 24.5% Social media 16.5% Vota total: 2355 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

