Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina, për herë të parë, duket se janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Sipas tij, negociatat po shënojnë përparim dhe një marrëveshje e mundshme do të jetë e rëndësishme, duke përfshirë edhe Europën. Trump bëri të ditur se ka zhvilluar disa biseda telefonike dhe se ka takime të planifikuara për të hënën dhe të martën, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit.
“Rusia dhe Ukraina, për herë të parë, duan të arrijnë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje shumë e madhe dhe do të përfshijë Europën”, deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për një takim me homologun rus Vladimir Putin, por ka përjashtuar mundësinë që ky takim të zhvillohet në Moskë.
Në një intervistë për CNN, Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketa për të përballuar sulmet ruse, ndërsa shprehu shpresën se Trump do të arrijë ta bindë Putinin të ulet në tryezën e negociatave.
“Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketa, sepse duam të mbijetojmë. Duam të jetojmë derisa Trump ta shtyjë Putinin të negociojë. Ai mund ta bëjë këtë. Ne jemi të gatshëm të takohemi me të në çdo shtet, por jo në Moskë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky u ndal edhe te marrëveshja e sigurisë që administrata Trump pritet t’i propozojë Ukrainës, duke shprehur shqetësimin se ajo mund të përmbajë rreziqe për të ardhmen e vendit.
“Ne jemi të gjithë në Europë. Nuk duam një Jaltë 2. Nuk duam të ndahemi nga Rusia”, u shpreh ai, duke iu referuar konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë e mëdha diskutuan ndarjen e sferave të ndikimit në Europë.
Ndërsa deklaratat për negociata vijojnë, Rusia ka kryer një sulm me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Sipas raportimeve të mediave ukrainase, sulmi ka goditur infrastrukturën e qytetit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar edhe në periferi. Më vonë është regjistruar një tjetër sulm, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur disa persona.
Informacioni është bërë i ditur nga Forcat Ajrore të Ukrainës, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, si dhe komanda ushtarake e kryeqytetit. Nga ana tjetër, Ukraina ka ndërmarrë gjatë natës sulme ndaj disa objektivave në rajonet ruse të Oryol, Saratov dhe Rostov, mes tyre edhe një rafineri nafte.
Sipas raportimeve të medias The Kyiv Independent, pas një sulmi me dronë në rafinerinë e naftës në Saratov ka shpërthyer një zjarr i madh. Guvernatori i rajonit, Roman Busargin, bëri të ditur se disa persona kanë mbetur të plagosur.
Një tjetër zjarr i përmasave të mëdha është raportuar pranë fabrikës ushtarake Almaz, në qytetin e Rostovit, në jug të Rusisë. Flakët janë shuar më vonë. Shpërthime janë raportuar edhe në qytetin e Belgorodit, ku, sipas agjencisë ruse RIA Novosti, të paktën një person ka mbetur i plagosur.
Pavarësisht sinjaleve për një mundësi marrëveshjeje diplomatike, sulmet e ndërsjella tregojnë se situata në terren vijon të mbetet e tensionuar. Top Channel

