Lajme Zone
Shpresat për të mbijetuar po veniten! Vijojnë kërkimet nën rrënoja në Kolumbi, 287 të vdekur dhe 379 të zhdukur
PolitikëBalkanWeb

Shpresat për të mbijetuar po veniten! Vijojnë kërkimet nën rrënoja në Kolumbi, 287 të vdekur dhe 379 të zhdukur

Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë të hënën, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 287 dhe 379 persona rezultojnë ende të zhdukur. Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë goditi kryesisht bregdetin e Paqësorit dhe rajonin e prodhimit të kafesë në perëndim të vendit. Rreth 4 mijë persona janë plagosur, ndërsa afro 13 mijë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar.

Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë të hënën, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 287 dhe 379 persona rezultojnë ende të zhdukur. Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë goditi kryesisht bregdetin e Paqësorit dhe rajonin e prodhimit të kafesë në perëndim të vendit. Rreth 4 mijë persona janë plagosur, ndërsa afro 13 mijë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar. Në ditën e gjashtë të operacioneve, ekipe profesioniste dhe vullnetare po kontrollojnë ndërtesat e shembura në kërkim të të mbijetuarve. Ndërkohë, në zonat ku autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e mbijetesës, makineritë e rënda kanë nisur largimin e rrënojave. Në disa prej zonave më të prekura, familjarët vijojnë të presin lajme për të afërmit e tyre. Funeralet kanë nisur, ndërsa autoritetet po përballen edhe me vështirësi në menaxhimin e trupave. Në qytetin e Cali-t, një pjesë e morgut është shembur dhe trupat po transportohen në një morg në Palmyra, rreth 30 kilometra larg. Familjarë të shumtë janë paraqitur për identifikimin e të afërmve të tyre. Presidenti Abelardo de la Esprieja ka vizituar zonat e prekura dhe ka premtuar mbështetje për familjet që kanë mbetur pa banesa, përfshirë ndihmë për pagesën e qirave. Në të gjithë vendin janë organizuar grumbullime ndihmash. Qytetarët po mbledhin ushqime, ujë, ilaçe dhe veshmbathje për familjet e prekura, ndërsa në Bogota janë ngritur pika të posaçme për grumbullimin e ndihmave. Edhe komuniteti ndërkombëtar ka njoftuar mbështetje për Kolumbinë. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme prej 11 milionë dollarësh, duke e çuar kontributin total në 26.5 milionë dollarë. Ndërkohë, Banka Botërore ka deklaruar se synon të mobilizojë 200 milionë dollarë për ndihmë dhe rimëkëmbjen pas tërmetit. Në zonat e prekura, mijëra banorë vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të përkohshme, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e personave të zhdukur dhe vlerësimin e dëmeve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: kolumbi Termeti