Dy turistët gjermanë që humbën orientimin gjatë eksplorimit të malit të Çikës janë shpëtuar pas një operacioni disaorësh kërkim-shpëtimi. Në aksion u angazhuan grupet e shpëtimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me Policinë, ndërsa për lokalizimin dhe nxjerrjen e turistëve në ndihmë u përdor edhe një helikopter. Pas gjetjes, turistëve iu dha ndihma e parë, pasi rezultuan të dehidratuar për shkak të qëndrimit të gjatë në terren. Ata u shoqëruan më pas nga ekipet e shpëtimit dhe ndodhen jashtë rrezikut. Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati disa orë, pas sinjalit SOS të dërguar nga turistët, të cilët nuk kishin mundur të gjenin rrugën e kthimit.
