Lajme Zone
Shpërthimi tragjik me 6 viktima në Athinë, shkak rrjedha e gazit nga një apartament
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Shpërthimi tragjik me 6 viktima në Athinë, shkak rrjedha e gazit nga një apartament

Hetimet për shpërthimin e fuqishëm që shkaktoi gjashtë viktima në Athinë po përqendrohen te mundësia e një rrjedhjeje të gazit natyror brenda një apartamenti në katin e dytë të ndërtesës në zonën e Plakës.

Hetimet për shpërthimin e fuqishëm që shkaktoi gjashtë viktima në Athinë po përqendrohen te mundësia e një rrjedhjeje të gazit natyror brenda një apartamenti në katin e dytë të ndërtesës në zonën e Plakës.

Autoritetet greke kanë verifikuar rrjetin qendror të furnizimit me gaz, por kontrollet nuk kanë evidentuar probleme në linjën kryesore. Edhe testimet e kryera në trotuarin pranë ndërtesës kanë dalë pa shenja rrjedhjeje, çka ka bërë që hetuesit të fokusohen te instalimet e brendshme të objektit.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, apartamenti në katin e dytë, ku jetonte një çift i moshuar, ishte i vetmi në ndërtesë që furnizohej me gaz natyror. Për këtë arsye, një nga pistat kryesore është se rrjedhja mund të ketë nisur pikërisht nga ky ambient.

Në apartament janë konstatuar tre pajisje të lidhura me rrjetin e gazit: një sobë, një oxhak dhe një ngrohës uji. Deri më tani nuk është përcaktuar se cila prej tyre mund të ketë qenë burimi i rrjedhjes, ndërsa ekspertët po vijojnë kontrollet për të përcaktuar shkakun e saktë.

Shpërthimi në rrugën Lysikratous ishte me intensitet të lartë, duke shkaktuar shembjen e ndërtesës. Vala e fuqishme e shpërthimit shkaktoi dëme edhe në ambientet përreth, duke prekur biznese, automjete dhe objekte të tjera pranë vendngjarjes.

Bilanci i tragjedisë është gjashtë persona të vdekur. Mes viktimave janë shqiptarët Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët ndodheshin në Greqi për muajin e mjaltit. Jetën humbën gjithashtu Eris Çani dhe Florin Hoxha, të cilët, sipas të dhënave të bëra publike, po përgatiteshin të bëheshin prindër. Dy viktimat e tjera ishin banorë të ndërtesës ku ndodhi shpërthimi.

Ndërkohë, më 27 shtator, familjarët e viktimave mbërritën në Greqi me kërkesë të autoriteteve. Ata pritet të japin mostra biologjike për kryerjen e analizave të ADN-së, një procedurë e nevojshme për identifikimin përfundimtar të trupave.

Ekspertiza vijon për të përcaktuar me saktësi pikën nga ku mund të ketë nisur rrjedhja e gazit, si dhe rrethanat që çuan në shpërthimin që tronditi Athinën.