Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e Bathores, në Kamëz, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse është vendosur në hyrje të një banese.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa”. Sipas të dhënave paraprake, banesa që është bërë objekt i sulmit është në pronësi të Mariglen Lalës, rreth 36 vjeç.
Shpërthimi ka shkaktuar dëmtime në pronë, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Për momentin, nuk ka të dhëna të qarta mbi motivin e ngjarjes apo personat që mund të kenë vendosur lëndën plasëse.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për të dokumentuar çdo detaj dhe për të rindërtuar mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.
Paralelisht, po punohet për identifikimin e autorit ose autorëve të dyshuar. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e personave përgjegjës.

