Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës, pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike në doza në qyetitn e Laçit. Sipas raportimeve të policisë, në pranga kanë rënë Gabriel Malasi, 28 vjeç, dhe Skerdi Kaloçi, 19 vjeç, të cilët u kapën në lagjen nr. 6, Laç, ku, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në 80 doza, të gatshme për shitje. Njoftimi i plotë i Policisë: Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacioni”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas dyshohet se ushtronin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Laçit. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar këta shtetas në lagjen nr. 6, Laç, ku, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në 80 doza, të gatshme për shitje. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndën narkotike kokainë dhe më pas e ndanin në doza, me qëllim shpërndarjen e saj në qytetin e Laçit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 4 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
