Katër persona janë arrestuar në Fier, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni policor kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore. Operacioni i koduar “Clean School” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Sipas policisë, hetimet disa mujore, të kryera edhe me metoda speciale, bënë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që dyshohet se shpërndante drogë pranë shkollave në qarkun e Fierit.
Në kuadër të operacionit u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” për shtetasit Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç dhe Taulant Çela, 52 vjeç, të gjithë banues në Fier.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e E. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të arrestuar, uniformat blu sekuestruan 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Policia bën me dije se do të vijojë kontrollet dhe operacionet për parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat pranë institucioneve arsimore. Top Channel

