Me urdhër të drejtorit të policisë së shtetit, Skënder Hita janë pezulluar nga detyra tre punonjës të Policisë pranë Komisariatit Kuçovë, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku shfaqet shoqërimi i një qytetari. Masat disiplinore përfshijnë inspektorët K. M. dhe D. D., me detyrë trupa e Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., në cilësinë e ndihmësspecialistit (SPZ). Sipas vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, çështja i ka kaluar për verifikim Drejtorisë së Standardeve Profesionale. “Në zbatim të kërkesave të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtori ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet ‘Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës’ dhe ‘Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi’”, thuhet në njoftimin zyrtar. Në vijim të sqarimeve për opinionin publik, policia thekson se motivi i ndërhyrjes nuk lidhet me shkelje urbanistike. “Shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij,” përcakton njoftimi i institucionit.
