48 MINUTA ME PARE "Revoltë" edhe në Prrenjas, banorët kundër bashkimit me Librazhdin Protestat kundër hartës së re të Reformës Territoriale po përhapen në disa qytete të vendit, ndërsa pakënaqësia e banorëve ndaj planit për shkrirjen e bashkive vijon të rritet. Pas reagimeve në Memaliaj, Këlcyrë dhe bashki të tjera, këtë të premte në rrugë kanë dalë sërish edhe qytetarët e Prrenjasit, duke kundërshtuar projektin që parashikon bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Librazhdit.
Kjo është protesta e dytë që zhvillohet në Prrenjas pas referendumit të organizuar nga banorët, të cilët këmbëngulin se qyteti duhet të ruajë statusin e bashkisë dhe të mos përfshihet në hartën e re administrative.
Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Prrenjasit, ku shprehën kundërshtimin ndaj reformës, duke argumentuar se shkrirja e bashkisë do të cenojë identitetin e qytetit, do të largojë shërbimet publike nga komuniteti dhe do të dobësojë përfaqësimin e banorëve në pushtetin vendor.
Protestuesit kujtuan se referendumi i zhvilluar më herët tregoi qartë vullnetin e qytetarëve për të mbetur një bashki më vete dhe kërkuan që ky qëndrim të respektohet përpara se të merret një vendim përfundimtar mbi hartën e re territoriale.
Banorët paralajmëruan se nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i tyre dhe se protestat do të vijojnë deri në mbrojtjen e plotë të Bashkisë Prrenjas. 55 MINUTA ME PARE Protestat kundër Reformës Territoriale shtrihen edhe në Këlcyrë, banorët kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë Protesta në Këlcyrë Banorët e Këlcyrës janë ngritur këtë të premte në protestë kundër projektit të Reformës së re Territoriale, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë Këlcyrë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Përmetit.
Me dhjetëra qytetarë u mblodhën në sheshin qendror të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj propozimit, duke e cilësuar atë një vendim që cenon identitetin historik, kulturor dhe administrativ të Këlcyrës.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet "Këlcyra historike" dhe "Këlcyra e kulturës", ndërsa kërkuan që bashkia të mos shkrihet dhe të vijojë të funksionojë si njësi më vete e qeverisjes vendore.
Reagimi në Këlcyrë vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj hartës së re territoriale po shtohen në disa zona të vendit. Gjatë ditëve të fundit protesta janë zhvilluar edhe në Memaliaj, ndërsa reagime kanë pasur edhe drejtues vendorë e përfaqësues politikë, të cilët kërkojnë rishikimin e propozimeve dhe zhvillimin e konsultimeve më të gjera me komunitetet lokale.
Banorët e Këlcyrës kërkojnë që zëri i tyre të merret parasysh përpara miratimit të hartës së re territoriale, duke argumentuar se shkrirja e bashkisë do të sjellë largimin e shërbimeve dhe do të dobësojë përfaqësimin e komunitetit të tyre. 1 ORE ME PARE Braçe i del kundër Ramës për hartën e re territoriale: Qytetarët nuk janë dëgjuar Erion Braçe Deputeti i PS-së thotë se qytetarët nuk janë dëgjuar për ndarjen e re administrative dhe kërkon debat e transparencë për bashkitë që preken nga reforma. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas debateve dhe protestave të ditëve të fundit për hartën e re të Reformës Territoriale, duke kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te vendimmarrja institucionale, por të dëgjohen edhe qytetarët e bashkive që preken nga ndryshimet.
Në një reagim të gjatë, Braçe e cilëson "të vështirë" ditën e djeshme për shkak të ndarjes së propozuar territoriale, duke kujtuar se tre bashki me të cilat ai ka një lidhje të veçantë – Poliçani, Divjaka dhe Libohova – parashikohet të shkrihen dhe të bëhen pjesë e bashkive të tjera.
"Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar territoriale, administrative. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq. Tre bashki me të cilat unë kam një lidhje të posaçme, Poliçani, Divjaka dhe Libohova, shkrihen e bëhen pjesë e bashkive të tjera. Dita u bë edhe më e vështirë pas protestës në Poliçan, banorëve atje, socialistëve me ta, si edhe pas reagimeve që pasuan në Divjakë dhe Libohovë", shkruan Braçe.
Deputeti socialist shprehet se shqetësimi më i madh është mungesa e dëgjesës me komunitetet, duke theksuar se banorët nuk janë bërë pjesë e vendimmarrjes për një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre.
"Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t'i debatojmë me ta, të reflektojmë. Është detyrim i procesit ky", thekson ai.
Braçe ndalet më pas te rëndësia historike dhe zhvillimi i bashkive që pritet të humbasin statusin e tyre, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë për një ndryshim të thjeshtë administrativ.
"Kini parasysh që nuk kemi të bëjmë me tre njësi administrative të humbura e të mbaruara. Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914 dhe qytet prej shekujsh. Divjaka është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në 12 vitet e fundit, ekonomikisht, në prodhim, infrastrukturë dhe në aspektin social. Ndërsa Poliçani është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, për të cilën sot flitet si një domosdoshmëri. Nuk mund të jetë vetëm Tirana ekonomia e këtij vendi në çdo degë", argumenton deputeti.
Në përfundim të reagimit të tij, Braçe bën thirrje për qetësi dhe reflektim, duke theksuar se Reforma Territoriale nuk duhet trajtuar vetëm si një proces teknik.
"Duhet qetësi e mençuri për të dëgjuar njerëzit; duhet të dëgjojmë ne së pari, pastaj njëri-tjetrin. Ka argumente plot për të këmbyer dhe ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor", u shpreh deputeti socialist Erion Braçe. 1 ORE ME PARE Divjaka i thotë "jo" hartës së re territoriale, kryebashkiaku i bashkohet protestës! Kryebashkiaku i Divjakës në protestë Kundërshtimet ndaj draftit të reformës së re territoriale të propozuar nga mazhoranca po zgjerohen në disa bashki të vendit. Pas protestave në Klos, Dimal, Patos dhe Selenicë, reagime ka pasur edhe në Divjakë, ku banorët kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Lushnjës.
Protestës iu bashkua edhe kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, i cili doli në mbështetje të qytetarëve që kundërshtojnë ndryshimin e hartës administrative. Banorët argumentojnë se shkrirja e Bashkisë së Divjakës do të largojë shërbimet publike nga qytetarët, do të dobësojë përfaqësimin lokal dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës.
Reforma e re territoriale, e propozuar nga Partia Socialiste, parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend përmes bashkimit të disa njësive vendore. 1 ORE ME PARE Protesta edhe në Memaliaj për hartën territoriale: Nuk bashkohemi me Tepelenën! Banorët e Memaliajt kanë dalë në protestë kundër ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca në kuadër të Reformës së re Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Memaliaj dhe bashkimin e saj me Bashkinë Tepelenë.
Qytetarët kundërshtojnë këtë nismë, duke argumentuar se një vendim i tillë do të largojë shërbimet nga komuniteti, do të rrisë kostot për banorët dhe do ta bëjë më të vështirë aksesin në administratë, veçanërisht për banorët e 53 fshatrave të bashkisë.
Më herët gjatë ditës reagoi edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, i cili deklaroi se e kishte kundërshtuar propozimin si në dëgjesën e zhvilluar në Gjirokastër, ashtu edhe në seancën dëgjimore në Kuvend, por argumentet e paraqitura nuk ishin marrë në konsideratë. Në reagimin e tij publik, Malaj akuzoi institucionet për mungesë transparence dhe konsultimi me komunitetin, duke theksuar se Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës për nga numri i banorëve dhe sipërfaqja.
Sipas tij, shkrirja e bashkisë do të sjellë humbjen e identitetit lokal, do të ngadalësojë zhvillimin ekonomik, do të nxisë më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Malaj tha se në vitet e fundit Bashkia Memaliaj ka rritur të ardhurat, ka përmirësuar performancën dhe ka investuar në infrastrukturë e shërbime për qytetarët, ndërsa e cilësoi propozimin për shkrirjen e saj si "shuplakën më të hidhur" për komunitetin.
Protestuesit kërkojnë që Bashkia Memaliaj të vijojë të funksionojë si njësi më vete e qeverisjes vendore, duke kundërshtuar çdo ndryshim që, sipas tyre, cenon përfaqësimin dhe aksesin e qytetarëve në shërbimet publike. 1 ORE ME PARE Dimali kundër hartës së re territoriale, qytetarët firmosin peticion: Mos na hiqni bashkinë! Banorët e Dimalit në protestë Kundërshtimet ndaj draftit të reformës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste po përhapen në disa zona të vendit. Pas reagimeve në Klos, Patos dhe Selenicë, edhe banorët e Dimalit kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre.
Qytetarët shprehen se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, duke i larguar shërbimet publike dhe duke dobësuar përfaqësimin e komunitetit në nivel vendor.
Sipas protestuesve, heqja e Bashkisë Dimal nga harta administrative do të krijojë vështirësi në marrjen e shërbimeve dhe do të zbehë rolin e institucionit vendor në zhvillimin e zonës.
Përveç protestës, banorët kanë nisur edhe një peticion kundër reformës territoriale. Përmes firmave të mbledhura, ata kërkojnë që Dimali të vijojë të funksionojë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore dhe që drafti i propozuar të rishikohet.
Reforma territoriale e propozuar nga mazhoranca parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend, duke bashkuar disa njësi vendore me argumentin e rritjes së efikasitetit administrativ dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve. 2 ORE ME PARE Harta e re territoriale i hap telashe Ramës, plasin protestat nga Jugu në Veri Protestat kundër hartës së re Territoriale Propozimi i socialistëve për Reformën e re Territoriale, ku parashikohet shkrirja e 15 bashkive të vogla, me të tjera më të mëdha, ka shkaktuar një valë të madhe pakënaqësish dhe po shoqërohet me protesta. Edi Ramës po i rrëshqet situata nga duart, pasi i janë kundërvënë edhe bastionet e veta. Projektligji i Partisë Socialiste, i cili propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 ka shkaktuar shumë reagime në bashkitë që preken nga shkrirja. Harta e re territoriale është pritur me protesta dhe qëndrime kundër në Klos, Poliçan, Patos, Memaliaj e Selenicë. Edi Ramës i janë kundërvënë edhe bastionet e veta.
Banorët e këtyre bashkive argumentojnë se reforma nuk do të sjellë përmirësim të shërbimeve, por përkundrazi do t'i largojë ato nga qytetarët dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik e social të zonave.
Klosi nuk pranon bashkimin me Matin
Në Bashkinë e Klosit, punonjësit e administratës bojkotuan për disa minuta punën në shenjë proteste kundër planit për bashkimin e bashkisë me Matin.
Qytetarët shprehen se vendimi do të krijojë vështirësi në marrjen e shërbimeve administrative dhe do t'i detyrojë banorët të udhëtojnë më larg për procedura që sot kryhen në qytetin e tyre.
"Mirë na e bën Edi Rama, na e ka prerë biletën e varrimit. U bë Rruga e Arbrit dhe tani duhet të shkojmë prapë në Burrel për një shërbim", u shpreh një banor.
Sipas tyre, Klosi ka njohur zhvillim vitet e fundit falë investimeve në infrastrukturë dhe ndikimit të Rrugës së Arbrit, ndaj shkrirja e bashkisë rrezikon të frenojë këtë zhvillim.
Banorët paralajmërojnë se përqendrimi i vendimmarrjes larg qytetit do ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e problemeve të përditshme dhe mund të nxisë largimin e të rinjve.
Banorët e Patosit: Preket identiteti i qytetit
Edhe në Patos ka pasur reagime kundër planit që bashkia të bashkohet me Fierin. Banorët shprehen se qyteti ka identitetin e tij dhe se shkrirja do të ndikojë negativisht në administrimin lokal dhe në aksesin ndaj shërbimeve publike.
"Patosi nuk meriton t'i preket identiteti dhe dinjiteti", u shprehën qytetarët, duke kërkuar që qeveria të rishqyrtojë draftin.
Sipas tyre, bashkimi me një bashki më të madhe do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve, ndërsa disa qytetarë, përfshirë mbështetës tradicionalë të Partisë Socialiste, e cilësuan projektin një "gabim".
Selenica: Do çojë në braktisjen e zonës
Reagime ka pasur edhe në Selenicë, e cila sipas draftit do të bashkohet me Bashkinë e Vlorës. Banorët shprehen se edhe për dokumentet më të thjeshta do të detyrohen të udhëtojnë drejt Vlorës, gjë që sipas tyre do të rëndojë veçanërisht familjet që jetojnë në fshatra ose nuk kanë mundësi transporti.
"Po na thonë largohuni, sepse këtu nuk jetohet më", tha një banor, duke shtuar se heqja e statusit të bashkisë do të përshpejtojë shpopullimin e zonës.
Sipas tyre, Selenica përfshin 47 fshatra dhe mijëra banorë, ndaj humbja e statusit të bashkisë do të dobësojë më tej zhvillimin lokal.
Qytetarët e Poliçanit djegin teserat e PS
Në ditën e prezantimit të projektligjit, dhjetëra qytetarë protestuan në Poliçan kundër planit për bashkimin e bashkisë së tyre me Beratin. Gjatë tubimit, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, dha dorëheqjen nga detyra, duke e cilësuar vendimin një padrejtësi.
“Prekja e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh”, tha ai gjatë protestës.
Pas deklaratës së tij, disa qytetarë dogjën teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste dhe tekstin e projektligjit, ndërsa në fund të protestës firmosën një peticion ku kërkojnë që Poliçani të mbetet bashki më vete.
Kryebashkiaku i Memaliajt: Harta e re territoriale kërcënim për identitetin
Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, u ka bërë thirrje banorëve të bashkisë dhe 53 fshatrave për t’iu bashkuar protestës kundër draftit të ri të ndarjes territoriale, duke e cilësuar vendimin si një kërcënim për identitetin dhe zhvillimin e zonës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Malaj deklaroi se kundërshtimet e ngritura gjatë dëgjesave zyrtare në Gjirokastër dhe në Kuvend nuk janë marrë në konsideratë, ndërsa procesi, sipas tij, është zhvilluar pa transparencë dhe pa konsultim të mjaftueshëm me komunitetin.
Sipas kryebashkiakut, shkrirja e Bashkisë Memaliaj do të sjellë humbje të identitetit, traditave dhe kulturës lokale, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe do të përshpejtojë shpopullimin e zonës.
Protesta e thirrur nga banorët pritet të shoqërohet me mosbindje civile dhe bllokim të qarkullimit në aksin kombëtar që lidh jugun e vendit, në hyrje të qytetit të Memaliajt.
Banorët e Dimalit peticion kundër shkrirjes së bashkisë
Edhe banorët e Dimalit kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre.
Qytetarët shprehen se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, duke i larguar shërbimet publike dhe duke dobësuar përfaqësimin e komunitetit në nivel vendor.
Sipas protestuesve, heqja e Bashkisë Dimal nga harta administrative do të krijojë vështirësi në marrjen e shërbimeve dhe do të zbehë rolin e institucionit vendor në zhvillimin e zonës.
Përveç protestës, banorët kanë nisur edhe një peticion kundër reformës territoriale. Përmes firmave të mbledhura, ata kërkojnë që Dimali të vijojë të funksionojë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore dhe që drafti i propozuar të rishikohet.
Protesta janë njoftuar edhe në Belsh dhe Prrenjas, edhe këto dy bashki që me propozimin e mazhorancës pritet të shkrihen.
Çfarë përmban projektligji për ndarjen e re territoriale?
Projektligji i depozituar parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me bashki më të mëdha. Sipas propozimit, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë së Beratit, ndërsa ndryshime parashikohen edhe për Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Prrenjasin.
Ky projektligji është depozituar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, i cili ka kërkuar që harta e re të dërgohet për konsultim në të gjitha bashkitë e vendit. Sipas relacionit shoqërues, reforma synon krijimin e bashkive me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike dhe parashikohet të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027. shpërthejnë protestat shkrirja e bashkive Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Kaos në Shkozet/ Zjarrfikësit në ‘luftë’ me flakët te fabrika e fishekzjarrëve, paralizohet qarkullimi 30 Korrik 2026, 18:5118:51LIVE UPDATES Brenda Kuvend, jashtë protestë; qytetarët përplasen me policinë, shoqërohen disa persona 27 Korrik 2026, 10:4010:40LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Gazi dhe sulmet nuk e ndalin revoltën, qytetarët të vendosur për rrëzimin e dyshes Rama-Berisha 23 Korrik 2026, 21:2421:24LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 50 ditë protestë dhe marshim, qytetarët në këmbë kundër oligarkisë politike 19 Korrik 2026, 20:4620:46LIVE UPDATES Revolta nuk ndalet/ Fjalime, denoncime dhe thirrje për zhbërjen e kastës politike 18 Korrik 2026, 20:4820:48LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në këmbë kundër oligarkisë politike 17 Korrik 2026, 21:2621:26LIVE UPDATES

