Rajoni i Himalajeve po përballet me një rrezik në rritje nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e shkaktuara nga shkrirja e akullnajave. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se miliona njerëz që jetojnë përgjatë lumenjve Himalayanë mund të preken nga këto fenomene, ndërsa ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shkrirjen e akullit dhe po destabilizojnë terrenin malor.
Kani Vignaraya, zyrtare e lartë e OKB-së dhe drejtoreshë rajonale e UNDP-së për Azinë dhe Paqësorin, tha për Reuters se rreziku për komunitetet është shumë i madh. Paralajmërimi vjen pas përmbytjeve katastrofike në Nepal, ku shembja e një mase akulli pranë majës Langtang Lirung shkaktoi një valë të fuqishme balte dhe uji që përfshiu lumin Trishuli. Sipas raportimeve, numri i viktimave ka kaluar 1,000.
Ekspertët theksojnë se krahas shembjeve të akullnajave, po shtohet edhe rreziku nga shpërthimi i liqeneve akullnajore, të njohura si GLOF. Këto liqene krijohen nga shkrirja e akullnajave dhe mbahen pas digave natyrore, të cilat mund të çahen nga presioni i ujit, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme.
Në vitin 2020, studiuesit kishin identifikuar 47 liqene akullnajore potencialisht të rrezikshme në Nepal, Kinë dhe Indi. Që atëherë, numri besohet të jetë rritur ndjeshëm.
Nepali është ndër vendet më të ekspozuara, pasi varet shumë nga akullnajat për furnizimin me ujë dhe energjinë hidroelektrike. Edhe infrastruktura është në rrezik: sipas UNDP-së, përmbytjet e fundit dëmtuan 15 hidrocentrale të mëdha që ishin ende në ndërtim.
Sipas Vignaraya, teknologjitë e reja mund të ndihmojnë në mbrojtjen e infrastrukturës, por përballë ngjarjeve ekstreme mund të mos jenë të mjaftueshme. Ndërsa temperaturat globale rriten, ekspertët paralajmërojnë se Himalajet mund të përballen gjithnjë e më shpesh me katastrofa të tilla.

