Rusia po i ofron në mënyrë të fshehtë Iranit mbështetje teknike dhe teknologjike për zhvillimin e raketave hipersonike lundruese, sipas një hetimi të publikuar nga Financial Times. Sipas gazetës britanike, bashkëpunimi është pjesë e një programi sekret shumëvjeçar, të koduar C430L, i cili nisi në vitin 2023. Programi përfshin disa prej specialistëve më me përvojë të industrisë ruse të raketave dhe synon t’i ndihmojë Teheranit të zhvillojë një gjeneratë të re armësh që mund të përbëjnë kërcënim për anijet luftarake amerikane dhe objektiva tokësore në Lindjen e Mesme.
Hetimi i Financial Times bazohet në korrespondencë të rrjedhur ruse, të dhëna udhëtimesh dhe analiza të patentave ushtarake. Sipas këtyre të dhënave, një prej objektivave kryesore të programit është zhvillimi i një sistemi shtytjeje me ramjet, teknologji që mund t’i mundësojë një rakete lundruese të fluturojë në atmosferë me shpejtësi disa herë më të madhe se shpejtësia e zërit.
Ekspertët e armëve vlerësojnë se teknologjia ka shumë gjasa të synojë zhvillimin e raketave kundër anijeve dhe të raketave për goditjen e objektivave tokësore.
“Ky është një transferim i teknologjisë ushtarake shumë të ndjeshme strategjikisht nga Rusia, të cilën iranianët kanë dashur ta sigurojnë prej dekadash”, tha Fabian Hinz, ekspert i raketave iraniane dhe analist i lartë në ‘Conflict Armament Research’.
Sipas tij, një program i kësaj shkalle do të kërkonte miratim politik në nivelet më të larta të udhëheqjes ruse.
Raketat hipersonike lundruese kombinojnë shpejtësinë e lartë me aftësinë për të fluturuar në lartësi të ulëta. Kjo mund të reduktojë kohën në dispozicion të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore për zbulimin dhe interceptimin e tyre.
Një kapacitet i tillë do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për Iranin në Gjirin Persik, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë dislokuar sisteme të avancuara mbrojtjeje dhe forca detare.
“Për iranianët, kjo do t’u jepte një sistem armësh strategjikisht të ri, i cili mund të kërcënonte anijet e Marinës amerikane”, tha Jim Lamson, ish-analist ushtarak i CIA-s i fokusuar te Irani dhe aktualisht pjesë e Qendrës James Martin për Studime të Mospërhapjes.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova se Irani ka përfunduar zhvillimin e një rakete lundruese hipersonike me ndihmën e Rusisë.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Financial Times, programi u koordinua nga Rosoboronexport, eksportuesi shtetëror rus i armëve, në bashkëpunim me kompaninë NPO Mashinostroyenia, një prej prodhuesve kryesorë rusë të raketave.
Të dhënat e udhëtimeve tregojnë se zyrtarë rusë dhe inxhinierë të lartë të NPO Mashinostroyenia udhëtuan disa herë në Iran përpara nënshkrimit të kontratës zyrtare me Ministrinë iraniane të Mbrojtjes dhe Logjistikës së Forcave të Armatosura, në nëntor 2023.
Deri në vitin 2025, kompania ruse kishte marrë materiale teknike nga Irani lidhur me sistemin e shtytjes së raketës. Inxhinierët rusë analizuan gjithashtu të dhëna nga një test fluturimi iranian dhe i dërguan Teheranit pyetje të hollësishme teknike mbi performancën e sistemit.
Në prill 2025, Rosoboronexport propozoi dërgimin e një delegacioni specialistësh rusë në Iran për konsultime teknike mbi programin C430L.
Dokumentet sugjerojnë se bashkëpunimi teknik vazhdoi edhe gjatë vitit 2026, ndërsa të dyja palët diskutonin fazat e ardhshme të zhvillimit.
Programi i raketave është pjesë e një marrëdhënieje gjithnjë e më të ngushtë ushtarake mes Rusisë dhe Iranit.
Teherani i ka furnizuar Moskën me dronë sulmues Shahed, të përdorur gjerësisht nga forcat ruse në luftën në Ukrainë. Rusia, ndërkohë, ka ndihmuar Iranin në fusha të ndryshme të teknologjisë ushtarake.
Zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë kanë akuzuar gjithashtu Moskën për ofrimin e mbështetjes për Iranin gjatë përplasjeve të tij me SHBA-në dhe Izraelin, përfshirë ndihmën me imazhe satelitore, dronë dhe komponentë ushtarakë.
Në këtë kontekst, programi C430L shihet si një nivel më i thellë bashkëpunimi, pasi synon t’i japë Iranit njohuritë teknike për të zhvilluar në mënyrë më të pavarur armë strategjike të avancuara.
Nicole Graczewski, profesoreshë në Sciences Po në Paris, tha se programi tregon se Rusia po kërkon të zgjerojë ndikimin e saj ushtarak përtej konfliktit në Ukrainë dhe të sfidojë interesat amerikane në teatro të tjera.
Irani ka zhvilluar gjatë viteve një arsenal të gjerë raketash balistike dhe ka një industri vendase që prodhon motorë për raketa lundruese me shpejtësi më të ulët.
Teherani gjithashtu pretendon se ka zhvilluar armë hipersonike. Megjithatë, zhvillimi i një rakete lundruese hipersonike me shtytje ramjet mbetet një sfidë teknologjike shumë më e madhe.
Në vitin 2019, një kompani iraniane e lidhur me industrinë e mbrojtjes shfaqi një motor ramjet të prodhuar në vend gjatë një prezantimi për liderin suprem iranian, Ali Khamenei.
Në gusht 2023, agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare, raportoi se Irani kishte nisur testimin e një prototipi të raketës hipersonike lundruese.
Zhvillimi i suksesshëm i kësaj teknologjie do t’i mundësonte Iranit të ndërtonte sisteme të reja armësh mbi të njëjtën bazë teknologjike dhe të reduktonte varësinë nga furnizuesit e huaj.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Financial Times, programi C430L pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2026, ndërsa Rusia dhe Irani vazhdojnë bashkëpunimin teknik dhe diskutojnë fazat e ardhshme të projektit.
Raportimet nuk nënkuptojnë se një raketë e tillë është aktualisht operative. Ato tregojnë se Moska po ndihmon Teheranin në përpjekjen për të kapërcyer një prej boshllëqeve më të rëndësishme teknologjike në programin e tij raketor. Top Channel

