Pas 13 ditësh protestash studentore, gjatë të cilave janë ngritur akuza për dhunë policore ndaj të rinjve dhe të miturve, Policia e Tiranës u ka dërguar komisariateve një shkresë urgjente për zbatimin e procedurave ligjore dhe respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar. Dokumenti, i firmosur më 22 tetor nga zv/drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, kërkon që efektivët të jenë të identifikueshëm gjatë ushtrimit të detyrës, të respektojnë rregullat për përdorimin e forcës dhe të garantojnë të drejtat e të miturve që shoqërohen në polici.
Një nga pikat e rëndësishme të udhëzimit lidhet me kamerat në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit. Policia kërkon vendosjen e kamerave në zyrat ku shoqërohen dhe intervistohen të miturit, ruajtjen e pamjeve filmike dhe, në mënyrë të veçantë, ruajtjen e menjëhershme të pamjeve të datës 19 tetor.
Shkresa përcakton gjithashtu se kontrollet e telefonave celularë nuk duhet të kryhen pa urdhër gjyqësor dhe se efektivët nuk duhet të kërkojnë fjalëkalimet e pajisjeve të personave të shoqëruar apo të arrestuar pa bazë ligjore.
Për rastet që përfshijnë të mitur, udhëzimi kërkon praninë e prindit ose kujdestarit ligjor dhe të psikologut, vënien në dispozicion të formularit të të drejtave për të miturit përpara marrjes në pyetje, si dhe mbajtjen e një regjistri të veçantë për këto raste.
Kështu, ky urdhër i Policisë së Tiranës, që u kërkon drejtuesve të komisariateve të zbatojnë procedurat ligjore dhe të respektojnë të drejtat e personave të shoqëruar, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës në Shqipëri. Dokumenti, i nxjerrë pas ditësh protestash studentore dhe akuzash për dhunë policore, rikthen debatin mbi një paradoks se pse institucionet duhet të urdhërohen të zbatojnë detyrime që ligji ua përcakton tashmë? Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

