Një prind ka ngritur shqetësimin pranë redaksisë sonë lidhur me kërkesën për kontribut financiar për vendosjen e kondicionerëve në klasat e shkollës “Qazim Turdiu”.
Sipas njoftimit të shpërndarë te prindërit, për një klasë me sipërfaqe rreth 48 m² është parashikuar vendosja e një kondicioneri 24 BTU. Në njoftim bëhet me dije se kostoja e pajisjes dhe montimit është rreth 620 mijë lekë, ndërsa një pjesë e kostos do të mbulohet nga një prind.
Pjesa e mbetur do të ndahet mes 24 nxënësve, duke bërë që çdo familje të paguajë rreth 22 mijë lekë për fëmijë.
Prindërve u është kërkuar që kontributet të mblidhen brenda këtyre ditëve, pasi shkolla pritet të lyhet javën e ardhshme dhe synohet që kondicionerët të vendosen në këtë periudhë.
Por shqetësimi bëhet edhe më i madh pasi, sipas prindit që ka kontaktuar redaksinë, kondicionerë do të vendosen në të gjitha klasat dhe kostoja do të përballohet nga prindërit e nxënësve.
Kjo ngre një pyetje që kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse: A është normale që prindërve t’u kërkohet të paguajnë nga xhepi për pajisjet që synojnë të garantojnë kushte të përshtatshme për mësim në një shkollë publike?
Nëse bëhet fjalë për nevoja infrastrukturore të shkollës, prindërit kërkojnë të dinë pse këto shpenzime nuk mbulohen nga fondet e institucioneve përgjegjëse.
Shkolla publike duhet të ofrojë kushte të përshtatshme për nxënësit. Pyetja është: kush duhet të paguajë për to?
Mesazhi per prindërit:
Te nderuar prinder! Eshte menduar qe ne klase te vendoset nje kondicioner per te krijuar kushte te pershtatshme per ngrohje ne dimer. Meqe klasa ka nje siperfaqje 48 m2 kondicioneri i pershtatshem eshte me.fuqi 24 BTU. Subjekti i kontaktuar eshte Masterclima.al. Kondicioneri kushton 62 000 leke duke perfshire edhe montinim. Nje prind ka marre persiper te paguaje koston e montimit prej 100 mije leke. Pjesa tjeter do te paguaje: 520 mije : 24 femije = 22 000 leke Per 1 femije kostoja shkon 22000 (njezete e dy mije )leke.
Meqe shkolla do te lyhet javen tjeter mire do te ishte ti mblidhnim leket keto dite qe ta montojme.
Nese del dikush vullnetar mund ti mbledhe leket . Ne te kundert mund te mi dorezoni mua se afer shkolle jam dhe mund te me telefononi tua marr diku.
Ju faleminderit per mirekuptimin!
Diten e mire!

