Lajme Zone
KulturëEuronews Albania

Shkodra Jazz Festival, tingujt e muzikës mbushin me spektatorë teatrin “Migjeni”


Tingujt e jazz-it u rikthyen në Teatrin “Migjeni”, në mbrëmjen e radhës së edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival”.

Tingujt e jazz-it u rikthyen në Teatrin “Migjeni”, në mbrëmjen e radhës së edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival”. Festivali, që prej vitesh është kthyer në një nga ngjarjet e rëndësishme muzikore të qytetit, solli këtë herë në skenë kuartetin e artistit Kejdi Barbullushi. Përmes improvizimit, ritmit dhe ndërthurjes së instrumenteve, muzikantët krijuan një atmosferë të veçantë për publikun shkodran. Koncerti u zhvillua në kuadër të programit të festivalit, i cili po shtrihet edhe në hapësira të ndryshme të qytetit, duke e afruar muzikën me publikun. Për drejtuesin artistik të festivalit, Florian Jakaj, jazz-i nuk është vetëm një formë muzikore, por edhe një hapësirë ku artistët mund të shprehen lirshëm, të eksperimentojnë dhe të komunikojnë me publikun përmes muzikës. Në këtë edicion, “Shkodra Jazz Festival” ka sjellë në qytet artistë dhe muzikantë nga vende të ndryshme, duke pasuruar skenën kulturore dhe duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja artistike. Pjesë e kuartetit ishte edhe perkusionisti Matheus Jardim, i cili vlerësoi përvojën në Shqipëri dhe bashkëpunimin me Kejdi Barbullushin. “Ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij kuarteti dhe që bashkëpunoj me një artist të talentuar si Kejdi. Në Shqipëri po kaloj mirë dhe kam njohur njerëz fantastikë, është shprehur Matheus Jardim, Perkusionist. “Shkodra Jazz Festival” do të vijojë edhe përgjatë javës me koncerte të tjera, duke sjellë për publikun shkodran artistë të rinj, interpretime të ndryshme dhe tingujt karakteristikë të jazz-it.