Vite të shkuara u ndodha në Universitetin e Çikagos, një universitet me një reputacion të madh në Amerikë. Në këtë universitet ligjëronte një prej linguistëve të shquar dhe albanologëve të njohur, Prof. Viktor Freedman, i cili më kishte ftuar për të prezantuar historinë e Butrintit dhe përpjekjet që bëheshin në atë kohë për mbrojtjen e tij. LEXO edhe...Ligjvënësit amerikanë propozojnë sanksione dhe ndalim vizash ndaj zyrtarëve serbë, kritika Vuçiçit: Qeveria e tij po destabilizon rajonin! Mbaj mend se, pas një dreke në sallën e vjetër ku profesorët mblidheshin për të biseduar me njëri-tjetrin, mora pjesë në një orë mësimi të gjuhës shqipe. Instituti i Gjuhëve Orientale në këtë universitet të famshëm amerikan kishte, për çudinë time, një klasë ku mësohej shqip dhe, përveç gjuhës, edhe historia e Shqipërisë. Diku rreth dymbëdhjetë studentë amerikanë mësonin shqip dhe njiheshin me historinë e vendit tonë. Pas prezantimit tim, dy ditë më vonë, në një sallë plot me studentë dhe staf akademik, mikpritësit e mi më sugjeruan të merrja pjesë në një leksion mbi Luftën e Trojës. “Si person i ardhur nga Butrinti, apo ‘Troja e re’, duhet patjetër ta dëgjosh këtë leksion”, më thanë, paksa me shaka, por edhe si një mundësi për të mësuar më shumë mbi këtë histori të famshme. Më poshtë, bazuar në disa shënime që mbajta atëherë dhe që i kam ende në bibliotekën time, mund të sjell disa shpjegime që më duken me mjaft interes për të gjithë debatuesit e zjarrtë që, pas shfaqjes së filmit të fundit “Odisea”, e kthyen debatin në një përleshje të ashpër nacionaliste. Leksioni në Universitetin e Çikagos dhe historia e Luftës së Trojës, e dëgjuar në sallën e këtij universiteti të njohur, larg atmosferës mbytëse të Ballkanit, ishte për mua një prej eksperiencave më interesante. Ligjëruesi, i cili kishte kryer gërmime arkeologjike në Troje dhe përreth saj prej vitesh, e zbërtheu ligjëratën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Më poshtë po risjell ato që ai shpjegonte. “Lufta e Trojës” Periudha që përpiqemi të risjellim sot në diskutimin mbi historinë e Trojës duhet të kihet parasysh se zhvillohet në atë që quhet Periudha e Bronzit të Vonë, afërsisht në shekujt XIII–XI para Krishtit. Troja Ajo që mendohet se është zbuluar sot shtrihet në bregdetin e Anadollit, në Turqinë e sotme. Në periudhën e Bronzit, në atë që sot njihet si Greqia dhe në territorin e Turqisë së sotme, vepronin dy botë të rëndësishme politike e kulturore: Mikenasit dhe Hititët. Dimë se Troja kishte një mbret, Priamin. Dimë se Priami kishte disa djem, ndër ta një tashmë të famshëm: Parisi, emri i të cilit në traditën homerike është Aleksandër. Sipas traditës së njohur, Aleksandër/Parisi dërgohet në qytetin e Mikenës, ku snte Menelau, qytet që më vonë lidhet me Spartën. Ai ishte pjesë e një lloj “delegacioni diplomatik dhe tregtar”. Sipas kërkimeve dhe botimeve arkeologjike, Mikenasit dhe Hititët kishin shkëmbime tregtare me njëri-tjetrin. Qeramika mikene është gjetur në rrënojat e Trojës. Sipas ngjarjes që njohim nga tradita epike, Menelau ishte martuar me një nga gratë më të bukura të kohës, Helenën. Pas takimit me delegacionin, ai udhëton në Kretë për të takuar mbretin e saj. Pas kthimit të Menelaut në qytet, ai mëson se Helena është larguar me Aleksandër/Parisin. Sipas versionit të Mikenasve, ajo u rrëmbye; sipas versionit tjetër të traditës, ajo iku me dëshirën e saj. Menelau shkon te i vëllai, Agamemnoni, “Mbreti i Mbretërve”, dhe i kërkon ndihmë për të rimarrë gruan e tij nga Troja. Agamemnoni u kërkon mbretërive të tjera mikenase ndihmë, të cilat dërgojnë anije me luftëtarë. Sipas traditës epike, Agamemnoni mblodhi një flotë prej një mijë anijesh. Pra, një flotë e madhe mikenase niset dhe mbërrin në brigjet e Trojës. Pas një rrethimi të gjatë të qytetit, më në fund, me dredhinë e Kalit të famshëm, Mikenasit futen në Trojë dhe qyteti shkatërrohet. Pas rënies së Trojës, Helena kthehet dhe heronjtë nisen drejt qyteteve të tyre. Kjo është, në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, historia e Luftës së Trojës që ka mbërritur deri tek ne. “Iliada” Kush e ka lexuar Iliadën mund të kuptojë se rrëfimi në poemë, në fakt, përqendrohet vetëm te një pjesë e fundit e rrethimit legjendar dhjetëvjeçar të Trojës. Por zanafilla e “Çështjes homerike” moderne është shumë më e hershme. Që në shekujt XVII dhe XVIII, studiues të ndryshëm vunë në diskutim çështjen e autorësisë së Iliadës dhe Odisesë. François Hédelin, abati i Aubignac-ut, Richard Bentley dhe Giambattista Vico parashtruan teza të ndryshme mbi natyrën dhe autorësinë e poemave homerike. Një prej ideve ishte se Homeri mund të mos kishte ekzistuar si një autor i vetëm. Një tjetër ishte se poemat mund të ishin krijuar dhe transmetuar në mënyrë gojore nga breza të shumtë rapsodësh. Ndërsa një tjetër tezë sugjeronte se poezia homerike mund të ishte rezultat i kontributit të shumë autorëve. Një tjetër personalitet europian që e trajtoi këtë dilemë në shkrimet e tij ishte filozofi zviceran Jean-Jacques Rousseau, i cili vuri në pah problemin e shkrimit dhe theksoi rëndësinë e krijimtarisë gojore. Studiuesi francez Jean-Baptiste Gaspard d’Ansse de Villoison rizbuloi dhe botoi në vitin 1788 kodikun Venetus A të shekullit X. Në hyrjen e tij shpjeguese, Prolegomena, të botuar në vitin 1795, studiuesi gjerman i antikitetit klasik Friedrich August Wolf vuri në dukje kufijtë e asaj që mund të dihej për Homerin dhe për ekzistencën e tij si autor historik. Në vitet 1930, dy studiues të rinj nga Universiteti i Harvardit ndërmorën një udhëtim të gjatë në trevat ballkanike të Bosnjës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së veriut, duke takuar dhe regjistruar këngët e rapsodëve të moçëm, të cilët ruanin në traditën e tyre këngë të hershme kreshnike. Kontributi i tyre ndihmoi në zhvillimin e konceptit të “traditës gojore”, i cili shënoi një pikë kthese në studimet homerike. Por në sallat akademike vazhdon me vrull debati i gjatë mbi një sërë çështjesh që lidhen me traditën, shkrimet, epokën dhe vetë natyrën e poemave që ende frymëzojnë artin dhe kulturën botërore. Ndërkohë, studimet e reja në fushën e arkeologjisë, ADN-së, linguistikës dhe krahasimeve gjuhësore, si edhe përdorimi i analizave kompjuterike, kanë zgjeruar debatin e kahershëm mbi thelbin e diskutimit rreth identitetit të Homerit. A ishte ai një individ? A ishte një bard popullor? A mund të ishte një grua? Apo një grup bardësh shëtitës, të cilët udhëtonin dhe rrëfenin historitë e botës antike? Studiuesit e fushës përgjithësisht e vendosin formimin e traditës homerike rreth shekujve VIII–VII para Krishtit, shumë kohë pas periudhës së Bronzit të Vonë. Në fakt, sipas shumë studiuesve të njohur të kësaj fushe, nuk ekziston një dëshmi e drejtpërdrejtë që Iliada të ketë ekzistuar në formën e saj të shkruar gjatë periudhës që lidhet me Luftën e Trojës. Kjo do të thotë se tradita që qëndron pas Iliadës dhe Odisesë duhet të ketë kaluar për një periudhë të gjatë nëpërmjet transmetimit gojor, përpara se të fiksohej në formë të shkruar. Për të gjithë dashamirësit e këtyre veprave klasike duhet kuptuar se Lufta e Trojës, “nëse ka ndodhur”, duhet të lidhet me ngjarje të Epokës së Bronzit të Vonë. Pra, në një periudhë kur në botën e Egjeut ekzistonin qendra dhe mbretëri mikenase, ndërsa në Anadollin qendror dhe perëndimor vepronte Perandoria Hitite. Nëse do të flasim për një konflikt historik pas traditës së Luftës së Trojës, duhet të mendojmë për botën politike të Epokës së Bronzit, jo për botën klasike greke të shumë shekujve më vonë. Pikërisht për këtë arsye studiuesit bëjnë një pyetje themelore: në rrëfimin e Homerit, cilat fakte, ngjarje apo objekte mund t’i përkasin periudhës së Bronzit dhe cilat pasqyrojnë periudhën në të cilën u formësuan dhe u transmetuan poemat? Kjo është një pyetje fondamentale për të kuptuar peizazhin historik. Cikli Epik Për shumë lexues që kanë pasur kohën të lexojnë Iliadën dhe Odisenë, ndoshta është e panjohur se të dyja veprat janë pjesë e një historie shumë më të gjerë mbi ngjarjet e Trojës, e njohur si “Epic Cycle”, ose “Cikli Epik”. Fatkeqësisht, për letërsinë botërore, shumë prej veprave që bënin pjesë në këtë cikël tashmë janë zhdukur. Ne i njohim vetëm përmes burimeve të dyta ose të treta. Një prej burimeve kryesore për rindërtimin e këtyre veprave të humbura është Prokli, i cili na jep jo vetëm një listë të poemave, por edhe autorët tradicionalë të tyre. Përmes këtij materiali mund të rindërtojmë pjesë të historive që lidhen me Trojën, përfshirë edhe episodin e famshëm të Kalit të Trojës. Në veprën e Homerit, historia e Kalit të Trojës përmendet shumë shkurt dhe vetëm në Odisenë. Në Iliadë, Kali i Trojës nuk përmendet fare. Prandaj është shumë e rëndësishme që lexuesit të kuptojnë se shumë prej detajeve që njohim sot mbi këtë histori vijnë nga burime të tjera të traditës antike. Pjesë të Ciklit Epik, si historia e Laokontit dhe gjarpërinjve, njihen ose janë bërë të famshme përmes veprave të mëvonshme. Pjesa I R.Xh/ReportTv.al auron tare Odisea chicago SHBA filmi odisea shqiperi Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.3% Keq 34.9% Nuk e di 12.7% Vota total: 3692 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
