Imami me origjinë shqiptare, Bashkim Aliu, është larguar nga të gjitha pozitat e tij drejtuese në Zvicër, ku shërbente si autoriteti kryesor teologjik i VIOZ-it dhe drejtonte Komisionin e Imamëve të FIDS-it, duke qenë figura kryesore e kontaktit me autoritetet e Zyrihut.
Dorëheqja nga Shoqata e Organizatave Islamike në Zyrih (VIOZ) dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Federata e Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS) vijnë si pasojë e një investigimi të publikuar nga gazeta zvicerane SonntagsZeitung. Hetimi mediatik solli në vëmendje një deklaratë të vjetër të Aliut në rrjetet sociale dhe praninë e tij në një konferencë ndërkombëtare.
Në qendër të polemikave është një postim i bërë në Facebook në vitin 2017, ku Aliu e kishte cilësuar Paradën e Krenarisë në Prishtinë si “paradë të turpit”. Pas publikimit të investigimit, drejtuesit e të dyja organizatave u distancuan nga kjo gjuhë, duke theksuar se deklaratat homofobe ose denigruese bien ndesh me statutin e tyre, i cili mbështet barazinë e të drejtave dhe respektimin e ligjit zviceran.
Ky skandal vjen në një kohë kur VIOZ ka përfituar mbështetje të konsiderueshme financiare nga shteti. Nga viti 2017 deri në vitin 2025, Kantoni i Zyrihut i dha kësaj shoqate rreth 2.5 milionë franga zvicerane për projektin Quams, që synonte përmirësimin e shërbimit të kujdesit shpirtëror për myslimanët në institucionet publike.
Bashkia e Zyrihut e mbështet VIOZ-in me 50 mijë franga në vit, ndërsa institucionet e përfshira po ndjekin zhvillimet e mëtejshme pas publikimit të gazetës.

