Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me disa persona të tjerë gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme në qytetin e Tepelenës. Sipas raportimeve nga policia, të plagosur kanë mbetur A. B., 39 vjeç, E. B., 41 vjeç, vëllezër, dhe M. B., 46 vjeç, djali i xhaxhait të dy shtetasve të tjerë. Mësohet se sherri ka nisur për motive të dobëta, ku më pas ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta, çka ka çuar në plagosjen e tre të rinjve, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim autorët e ngjarjes. “Rreth orës 00:30, në qytetin e Tepelenës, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa personave, kanë mbetur të dëmtuar, si pasojë e goditjeve me sende të forta, shtetasit A. B., 39 vjeç, E. B., 41 vjeç (vëllezër), dhe M. B., 46 vjeç (djali i xhaxhait të dy shtetasve të tjerë), të tre banues në Tepelenë. Të dëmtuarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

