Lajme Zone
SHBA përballë një paradoksi, njeriu që drejton kartelin më të rrezikshëm të drogës është… amerikan
BotëTop Channel

SHBA përballë një paradoksi, njeriu që drejton kartelin më të rrezikshëm të drogës është… amerikan

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po përballet me një sfidë të pazakontë në luftën kundër trafikut të drogës.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po përballet me një sfidë të pazakontë në luftën kundër trafikut të drogës. Personi që Uashingtoni konsideron si drejtuesin e ri të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një prej organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në botë, është shtetas amerikan.

Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Juan Carlos Valencia, i njohur me nofkën “El 03”, i lindur më 12 shtator 1984 në Santa Ana të Kalifornisë. Autoritetet amerikane e konsiderojnë atë pasardhësin e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, i cili u vra gjatë një operacioni në Meksikë më 22 shkurt.

Pas vdekjes së “El Mencho”, SHBA e ka identifikuar zyrtarisht Valencian si drejtuesin e ri të CJNG-së dhe ka shpallur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e tij.

Valencia vjen nga një familje me lidhje të forta me botën e krimit. Ai është djali i Armando Valencia Cornelio, themeluesit të Kartelit Milenio, ndërsa nëna e tij, Rosalinda González Valencia, konsiderohet një figurë kyçe në strukturën e CJNG-së. Më vonë ai u rrit nën ndikimin e “El Mencho”, i cili u bë partneri i nënës së tij.

Megjithatë, fakti që Valencia ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe meksikane, ka krijuar një problem ligjor për autoritetet amerikane. Sipas ligjit të SHBA-së, operacionet ushtarake që mund të rrezikojnë jetën e një qytetari amerikan janë të kufizuara, duke e bërë më të ndërlikuar ndjekjen e tij.

Sipas raportimeve, një nga zgjidhjet e mundshme është që shërbimet amerikane të inteligjencës të mbledhin informacione dhe t’ua kalojnë autoriteteve meksikane, të cilat më pas do të kryenin operacionin për arrestimin e tij.

Ekspertët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse “El 03” ka marrë kontrollin e plotë të kartelit, pasi brenda CJNG-së raportohet për rivalitete dhe ndarje të pushtetit.

Megjithatë, fakti që SHBA e ka shpallur atë objektivin kryesor tregon se Uashingtoni e konsideron tashmë kundërshtarin më të rrezikshëm në luftën kundër një prej kartelëve më të fuqishëm të drogës në botë. Top Channel