Lajme Zone
SHBA/ Hegseth: Pushkatimi i autorit të masakrës në Fort Hood do të jetë publik, ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt në internet
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

SHBA/ Hegseth: Pushkatimi i autorit të masakrës në Fort Hood do të jetë publik, ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt në internet

Nidal Malik Hasan do të ekzekutohet më 3 dhjetor. Pas historisë dramatike të Christa Pike e cila i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, Amerika tani do të jetë dëshmitare edhe e ekzekutimit të një krimineli të dënuar.

Uashington- Pas dy përpjekjeve të dështuara për të ekzekutuar Christa Pike me injeksion vdekjeprurës, Shtetet e Bashkuara po përgatiten edhe për një pushkatim që do të transmetohet drejtpërdrejt. Këtë e ka njoftuar kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, duke deklaruar se ekzekutimi me skuadër pushkatimi i autorit të sulmit në Fort Hood, Nidal Malik Hasan, do të jetë publik. Hegseth, gjatë një interviste për televizionin konservator Real America's Voice News, konfirmoi se Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve gjatë një sulmi me armë zjarri në bazën ushtarake në vitin 2009, do të ekzekutohet në Fort Hood më 3 dhjetor. Më pas, ai shtoi: “Do të sigurohemi që njerëzit të kenë mundësi ta shohin ekzekutimin, që ai të zhvillohet publikisht”. LEXO EDHE:Nju Jork/ Agjenti i ICE plagos një emigrant, në makinë edhe një fëmijë 5-vjeçar! Protesta dhe arrestime, Mamdani telefonon Trump: Ndalni operacionet! Kreu i Pentagonit ndodhej në bordin e aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln, gjatë një vizite te ekuipazhi që për një periudhë të gjatë kishte marrë pjesë në luftën në Iran, përpara mbërritjes së anijes në portin e saj bazë në San Diego. Kur u pyet nëse Hasan kishte paraqitur ndonjë kërkesë të fundit apo kishte kontaktuar administratën Trump, Hegseth u përgjigj: “Nuk më intereson. Do ta shohim më 3 dhjetor”. Sipas agjencisë Associated Press, zyrtarët e Pentagonit sqaruan të enjten se ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt në internet dhe se detaje të tjera do të bëhen publike më vonë. Të hënën, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, kishte deklaruar se presidenti Donald Trump kishte miratuar ekzekutimin e Hasanit me pushkatim. Shtëpia e Bardhë, e kontaktuar nga Associated Press, ia kishte drejtuar Pentagonit pyetjet lidhur me planet për transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit. Hegseth deklaroi se ushtria amerikane nuk ka ekzekutuar asnjë ushtarak me skuadër pushkatimi që nga Lufta e Dytë Botërore. Ekzekutimi i fundit në sistemin ushtarak amerikan ka ndodhur më 13 prill 1961, kur ushtari John Bennett u ekzekutua me varje. Kështu, pas ngjarjes dramatike të Christa Pike, e cila mbijetoi pas dy injeksioneve vdekjeprurëse, Amerika tani do të shohë edhe ekzekutimin me pushkatim të një të dënuari, të transmetuar drejtpërdrejt. Është e vështirë të kuptohet dobia apo arsyeja e një shfaqjeje të tillë publike të dhunës, nëse qëllimi është vendosja e drejtësisë, përveç rastit kur Hegseth e konsideron edukativ transmetimin në internet të një ekzekutimi. Më e mundshme është që pas këtij vendimi të qëndrojë bindja e protagonistëve se mund të përfitojnë politikisht, duke nxitur ndjenjat e hakmarrjes apo duke shfrytëzuar kureshtjen e sëmurë të atyre që do të vendosin ta ndjekin ekzekutimin. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Christa Pike Pete Hegseth Nidal Malik Hasan SHBA Komente Komento Sondazhi i ditës:

8 Tetor, 11:03

PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 60.7% Jo 33% Nuk e di 6.3% Vota total: 1858 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 8 Tetor, 11:03 PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?