Lajme Zone
SHBA godet financat e Hezbollahut/ Sanksione ndaj 10 personave, Uashingtoni: Rrjeti lidhet me Iranin
BotëBalkanWeb

SHBA godet financat e Hezbollahut/ Sanksione ndaj 10 personave, Uashingtoni: Rrjeti lidhet me Iranin

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj një rrjeti financiar që dyshohet se transferon fonde për Hezbollahun, duke akuzuar organizatën libaneze për lidhje të ngushta me Iranin dhe Gardën Revolucionare Islamike.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj një rrjeti financiar që dyshohet se transferon fonde për Hezbollahun, duke akuzuar organizatën libaneze për lidhje të ngushta me Iranin dhe Gardën Revolucionare Islamike. Sanksionet amerikane kanë në shënjestër 10 individë, të cilët, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, janë pjesë e një rrjeti që përdor korrierë dhe transferta ndërkombëtare për t’i siguruar Hezbollahut akses në valutë të huaj dhe për të shmangur sistemin financiar të kontrolluar nga sanksionet. Sipas autoriteteve amerikane, korrierët udhëtojnë me fluturime komerciale ndërmjet Libanit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit, duke transportuar shuma që mund të arrijnë në qindra miliona dollarë. Uashingtoni argumenton se ky mekanizëm i mundëson Hezbollahut të lëvizë fonde jashtë kanaleve zyrtare financiare. Këshilltari i lartë i presidentit amerikan për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme, Mashad Boulos, deklaroi se masat synojnë të pengojnë përdorimin e Hezbollahut nga Irani për të destabilizuar Lindjen e Mesme dhe për të minuar sovranitetin e Libanit. SHBA: Hezbollahu është agjent i Iranit

Në kuadër të masave të reja, Uashingtoni ka riformuluar edhe përcaktimin ligjor të Hezbollahut, duke e përshkruar organizatën si një agjent të Iranit që vepron nën drejtimin e Gardës Revolucionare Islamike, veçanërisht Forcës Quds.

Shtetet e Bashkuara e kanë klasifikuar Hezbollahun si organizatë terroriste që prej vitit 1997, ndërsa në vitin 2001 e përfshinë në kategorinë e grupeve terroriste globale të përcaktuara posaçërisht.

Sipas Departamentit të Thesarit, ndryshimi i përcaktimit synon të theksojë lidhjet operative, financiare dhe logjistike mes Hezbollahut dhe strukturave iraniane.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit e përshkroi Hezbollahun si një “shtojcë” të Gardës Revolucionare Islamike, duke kundërshtuar pretendimin e organizatës se është një lëvizje e pavarur e rezistencës libaneze.

Administrata amerikane thotë se masat e fundit janë pjesë e përpjekjeve për të goditur burimet financiare të Hezbollahut dhe për të ndërprerë kanalet që, sipas Uashingtonit, përdoren për financimin e aktivitetit të organizatës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb