Lajme Zone
SHBA/ Dy kongresistë republikanë kërkojnë të mos i zgjatet licenca Industrisë së Naftës së Serbisë
BotëReport TV

SHBA/ Dy kongresistë republikanë kërkojnë të mos i zgjatet licenca Industrisë së Naftës së Serbisë

Kongresistët republikanë Joe Wilson dhe Keith Self i dërguan të premten letër Departamentit amerikan të Thesarit, në të cilën kundërshtuan zgjatjen e lehtësimit nga sanksionet për NIS-in.

Dy republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që t’i vazhdojë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), raportoi të hënën mediumi amerikan The Hill. NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë së saj është në duart e kompanive ruse. LEXO edhe...U arrestuan për një sulm të mundshëm afër bazës amerikane në Britaninë e Madhe, pesë të dyshuarit lirohen pas një dite Pronarët rusë gëzojnë 56.15 për qind të aksioneve, prej të cilave 44.85 për qind i përkasin kompanisë shtetërore Gazprom Neft. Kongresistët republikanë Joe Wilson dhe Keith Self i dërguan të premten letër Departamentit amerikan të Thesarit, në të cilën kundërshtuan zgjatjen e lehtësimit nga sanksionet për NIS-in. “Po ju shkruajmë për t’ju kërkuar me respekt që ta rishikoni zgjatjen e të gjitha licencave shtesë të përkohshme që do t’i mundësonin Industrisë së Naftës së Serbisë të vazhdojë punën, pavarësisht sanksioneve amerikane që lidhen me pronësinë e saj ruse”, thuhet në letër. Letra i është drejtuar sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent. NIS-i i kërkoi javën e kaluar Departamentit amerikan të Thesarit t’ia lëshojë një licencë të re, e cila do t’i mundësonte vazhdimin e punës. Licenca e tanishme për NIS-in, e lëshuar nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, skadon më 30 shtator. Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e të ardhurave nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë. Për më shumë se një vit, sanksionet janë shtyrë, ndërsa qëkurse kompania hungareze MOL u shfaq si blerëse e interesuar, licenca e OFAC-it për për veprimtarinë e NIS-it është rinovuar periodikisht. NIS-i furnizon 80 për qind të nevojave energjetike të Serbisë, por është në pronësi shumicë të gjigantëve energjetikë rusë Gazprom Neft dhe Gazprom, të cilët janë nën sanksionet e SHBA-së. Wilson dhe Self shprehin shqetësim se përjashtimet po i mundësojnë NIS-it që t’i zvarrisë negociatat për shitjen e aksioneve ruse në kompani. Në janar, kompania hungareze MOL njoftoi se kishte arritur marrëveshje me Gazprom Neft për blerjen e aksioneve të tij në shumicë në NIS, por marrëveshja ende nuk është përmbyllur. “Negociatat për marrëveshjen përfundimtare të blerjes janë ende duke vazhduar, ndërsa MOL-i i ka kërkuar departamentit tuaj miratim të mëtejshëm për vazhdimin e operimit, pavarësisht përparimit të kufizuar”, thanë kongresistët. “Për më tepër, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë dhe, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit e Ukrainës në shkurt të vitit 2022”, shtuan ata. Për shkak të lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë, shqetësime janë shprehur edhe në Kongresin amerikan. Gjatë një debati në mesin e shtatorit në Kongres, u shpreh shqetësim dypartiak për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa u ngritën edhe pyetje nëse, në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, është diskutuar për “ndikimin keqdashës” të Moskës dhe Pekinit./ REL R.Xh/ReportTv.al serbi SHBA kompani nafte Rusi Kongresmen Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 54.5% Jo 38.4% Disi 7.2% Vota total: 2712 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?