Lajme Zone
SHBA deportoi mbi 25 mijë persona në vende të treta, hetimi zbulon marrëveshje sekrete me 35 shtete
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

SHBA deportoi mbi 25 mijë persona në vende të treta, hetimi zbulon marrëveshje sekrete me 35 shtete

Qeveria amerikane ka deportuar më shumë se 25,000 persona në vende të treta, në kuadër të marrëveshjeve me dhjetëra shtete që pranojnë migrantë edhe pse ata nuk kanë lidhje me vendet pritëse.

Qeveria amerikane ka deportuar më shumë se 25,000 persona në vende të treta, në kuadër të marrëveshjeve me dhjetëra shtete që pranojnë migrantë edhe pse ata nuk kanë lidhje me vendet pritëse. Sipas një hetimi ndërkombëtar të publikuar nga konsorciumi Forbidden Stories, që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, administrata amerikane ka lidhur marrëveshje me vende në Amerikën Latine, Afrikë dhe Paqësor për transferimin e personave që nuk mund të deportohen ligjërisht drejt vendeve të tyre të origjinës.

Hetimi është realizuar nga 72 gazetarë dhe 23 media nga 15 vende. Sipas të dhënave të mbledhura, deri më 31 gusht 2026, të paktën 25,447 persona janë transferuar në 28 vende, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre janë dërguar në Meksikë.

Marrëveshjet ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, veçanërisht sa i përket kombësive që pranohen dhe faktit nëse personat kanë apo jo precedentë penalë.

Sipas Forbidden Stories, Uashingtoni është kontaktuar ose afruar me 49 nga 54 vendet afrikane, me synimin për të pranuar shtetas të vendeve të treta të deportuar nga SHBA.

Një hetim i AFP-së në fillim të vitit 2026 kishte dokumentuar gjithashtu presionin e ushtruar nga administrata amerikane ndaj disa vendeve afrikane për të pranuar persona të deportuar, përmes kërcënimeve për tarifa, pezullimit të vizave apo shkurtimit të ndihmës.

Avokatët e intervistuar nga AFP kanë ngritur shqetësime për trajtimin e këtyre personave, duke argumentuar se pas mbërritjes në vendet pritëse ata mund të mbahen në kushte të paqarta ligjore dhe pa akses të mjaftueshëm në të drejtat e tyre.

Sipas hetimit, qeveria amerikane planifikon të shpenzojë më shumë se 410 milionë dollarë për vendet pritëse dhe agjencitë ndërkombëtare të përfshira në procesin e transferimit të emigrantëve.

Një agjenci e Departamentit amerikan të Shtetit, e quajtur Shërbimi i Emigrimit, e krijuar në maj 2025, ka trajtuar një pjesë të konsiderueshme të negociatave dhe pagesave.

Një prej rasteve të dokumentuara është Kameruni, me të cilin SHBA nënshkroi një memorandum mirëkuptimi në dhjetor 2025 për pranimin e personave të deportuar nga vende të treta. Avioni i parë me të dëbuar mbërriti në Kamerun më 14 janar.

Në rastin e Palaut, një shtet ishullor në Paqësor me rreth 18 mijë banorë, marrëveshja parashikon pranimin e 75 personave nga vende të treta kundrejt 7.5 milionë dollarëve. Deri tani, sipas hetimit, vetëm tre persona janë transferuar atje.

Ndërsa në Eswatini, 32 persona kanë mbërritur që nga korriku 2025, nga 160 që parashikohet të pranohen në total sipas një marrëveshjeje prej 5 milionë dollarësh. Sipas hetimit, marrëveshja përfshin edhe persona me precedentë penalë.

Nga 410 milionë dollarët e parashikuara në marrëveshje, dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit tregojnë se 81 milionë dollarë janë caktuar drejtpërdrejt për qeveritë pritëse. Pjesa tjetër është parashikuar për organizata ndërkombëtare, përfshirë 178 milionë dollarë për Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe 123 milionë dollarë për UNHCR-në.

Përfshirja e agjencive të OKB-së ka shkaktuar kritika nga organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut. UNHCR ka deklaruar për Forbidden Stories se nuk është pjesë e marrëveshjeve të deportimit dhe se fondet amerikane përdoren në përputhje me mandatin e saj për forcimin e sistemeve të azilit.

Ndërkohë, një zëdhënës i IOM tha se organizata e kupton se SHBA përdor fondet e saj për të zbatuar prioritetet e veta, por theksoi se pranimi i financimit amerikan synon përmirësimin e jetës së emigrantëve dhe nuk përbën miratim të deportimeve. Top Channel