Gazetari Almer Toska ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania kanë mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj tij dhe i kanë kërkuar largimin nga pushteti. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Toska deklaroi se kryeministri po përballet me një pengesë të fortë ndërkombëtare, të cilën, sipas tij, nuk mund ta kapërcejë. Gazetari pretendoi se tre vendet partnere të Shqipërisë ia kanë bërë të qartë Ramës se duhet të largohet nga drejtimi i qeverisë. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga përfaqësuesit e vendeve të përmendura. Toska kritikoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit ndaj protestave studentore, duke e akuzuar se është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të ruajtur pushtetin. Ai përdori një deklaratë të fortë, duke thënë se nuk do të habitej nëse Rama do të ushtronte personalisht dhunë ndaj protestuesve. Gazetari u ndal edhe te veprimtaria e SPAK-ut, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të tregojë vendosmëri në hetimin e zyrtarëve të lartë. Ai ngriti pikëpyetje për trajtimin e çështjes së Belinda Ballukut, duke bërë një krahasim me masën e arrestit ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Sipas Toskës, Balluku përballet me akuza të rënda, ndërsa ai pretendoi se një drejtor në varësi të saj mund të jetë përfshirë në abuzime financiare me vlerë qindra milionë euro. Këto shifra dhe pretendime u paraqitën nga gazetari gjatë intervistës dhe nuk përbëjnë konstatime të verifikuara gjyqësore.
Toska denoncoi gjithashtu atë që e cilësoi si mungesë të lejeve të nevojshme për nisjen e punimeve në aksin Kardhiq–Delvinë dhe në tunelin e Llogarasë, duke kërkuar që këto çështje të hetohen nga SPAK.
Almer Toska:
Aktualisht Rama ka një barrikadë evropiane të fortë që nuk e kalon dot. Është muri i vendosur nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania. Një trio e fortë dhe tri vende partnere të Shqipërisë. Këta i kanë treguar derën që të largohet dhe të lërë karrigen.
Një njeri si ai bën çdo gjë. Mos u habisni që Rama nesër të marrë vetë kërbaçin në dorë dhe të gjuajë studentët. Mos u habisni.
Ka dhunuar këdo, gazetarët, biznesmenët, çdokënd që ka pasur në dorë. Mos prisni të reflektojë. Shkatërron çdo gjë për fatin e tij politik.
Ndërkombëtarët ia kanë bërë të ditur fatin. Po bën rezistencë. Le të bëjë, derisa të shohë hapat konkretë të ndërkombëtarëve në raport me ato që ka bërë.
Unë pres që SPAK të jetë në lartësinë e detyrës. Të na tregojë kush është vërtet.
Balluku, me 5 vepra të kryera 15 herë, nuk është në burg. Ilir Meta është në burg! Balluku rrezikon 30 vite burg dhe nuk është brenda!
Po t’i kishte një qytetar i thjeshtë këto akuza, a do të ishte në burg? Një drejtor i Belindës mund të ketë vjedhur 300 milionë euro! Vetëm një drejtor!
Balluku ka ndërtuar në vitin 2020 aksin Kardhiq–Delvinë, 33 kilometra, pa leje. Pra, ka një institucion që miraton lejen e fillimit të punimeve. Ky institucion nuk ia ka dhënë dhe nuk rezulton të ketë leje për këtë vepër.
Kjo është për SPAK-un. Njësoj si tuneli i Llogarasë. Filluan punimet, pastaj u bë procedura e lejes. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
