Këtë të martë policia e shtetit bën me dije se ka vendosur në pranga një 24 vjeçar, banues në Tiranë i cili kishte përndjekur dhe shantazhuar një person nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash. Pas marrjes së një njoftimi se 24 vjeçari , në mënyrë të përsëritur, përndiqte dhe kanoste nëpërmjet platformave virtuale një person, duke i kërkuar një shumë parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Accountet”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin e marrjes së shumës monetare. Sipas autoriteteve dyshohet se 24-vjeçari, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe shantazhuar shtetasin D.P . Të dhënat policore bëjnë me dije se janë sekuestruar një shumë parash dhe 2 aparate celularë. Hetimi është ende në zhvillim për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
