Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rrugës “Selim Zyma”, në lagjen “5 Maji” të Elbasanit.
Sipas tij, ndërsa rrugët përreth janë shtruar, ndriçuar dhe mirëmbajtur, ky segment ka mbetur i pashtruar dhe pa ndriçim.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihet kontrasti mes rrugëve të asfaltuara dhe këtij segmenti, ku rruga kthehet në zhavorr, me gropa dhe pluhur. Gjatë mbrëmjes, zona mbetet edhe pa ndriçim të mjaftueshëm.
Por problematika, sipas banorit, nuk lidhet vetëm me rrugën.
Pranë segmentit të pashtruar shihet një kosh mbeturinash i rrethuar nga qese, kartona dhe mbetje të tjera të shpërndara. Banori pretendon se pastrimi i mbetjeve nuk kryhet rregullisht, duke bërë që zona të mbetet mes pluhurit dhe mbeturinave.
“Përshëndetje JOQ Albania. Videoja që ju dërgova mbrëmë, gjithashtu edhe sot. Të gjithë rrugët rreth e qark janë të shtruara dhe të mirëmbajtura, dhe vetëm në këtë zonë këtu akoma jo. Nuk e di se cila është arsyeja, por rruga vazhdon akoma e pashtruar vetëm ky qarku këtu”, shprehet qytetari.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë Elbasan për shtrimin e rrugës, vendosjen e ndriçimit dhe përmirësimin e shërbimit të pastrimit.
Në veçanti, ata kërkojnë një përgjigje nga drejtuesit e bashkisë se përse ky segment ka mbetur jashtë ndërhyrjeve, ndërsa rrugët përreth janë sistemuar.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga qytetari, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e Bashkisë Elbasan dhe kryetarit të bashkisë lidhur me problematikën e ngritur. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

