Lajme Zone
Sfidat për një lëvizje studentore/ Frymëzim nga modeli serb, por kodi zgjedhor dhe klasa aktuale janë pengesë: S’të lë hapësira, në Shqipëri është e detyrueshme…
PolitikëTop Channel

Sfidat për një lëvizje studentore/ Frymëzim nga modeli serb, por kodi zgjedhor dhe klasa aktuale janë pengesë: S’të lë hapësira, në Shqipëri është e detyrueshme…

Fitorja e lëvizjes studentore në Serbi ka frymëzuar të rinjtë shqiptarë për një organizim të ri politik.

Fitorja e lëvizjes studentore në Serbi ka frymëzuar të rinjtë shqiptarë për një organizim të ri politik. Me shembullin e humbjes së Vuçiç, studentët në Shqipëri po angazhohen për të formuar një lëvizje studentore kombëtare, ku parimi bazë për anëtarësinë është gjithëpërfshirje jopartiake.

“Duket se ngjarja në Serbi ju ka dhënë shpresë edhe studentëve e popullit në Shqipëri. I kam parë që edhe këtu po organizohen në një lëvizje. Për mua klasa e vjetër duhet të zhduket, se për këtë arsye kemi protestuar me muaj. Duhet të ketë njerëz të ndershëm dhe profesionistë që punojnë pa interesa, për kombin”, tha Arvina Lleshi.

“Është diçka në krijim e sipër. Ne patjetër që do të punojmë për kauzën e përbashkët, padyshim që nuk do kemi protagonizëm. Mes vetes kemi edhe shumë pedagogë, intelektualë, mjek që nëse ata do të jenë dakord të na mbështesin edhe nga ana politike, patjetër që do të jemi të gatshëm që edhe ne t’iu japim suportin tonë që ndoshta nëse sheshi nuk na jep një zgjidhje përfundimtare, do duhet që Edi Rama t’i përballemi politikisht”, deklaroi Mateo Yskollari.

Edhe akademikët po ndajnë të njëjtën ide me studentët për një front të ri beteje me mazhorancën dhe opozitën: një rini që konkurron politikisht.

“Unë mendoj që është e domosdoshme një forcë politike studentore ku të ketë si dritën e diellit një bosht qëndror: klasa e vjetër duhet të përjashtohet. Në përbërje të saj duhet të ketë studentë, pedagogë, mësues, çdo njeri që ka duar të pastra dhe faqebardhë. Pjesa e ndyrë e partive të marksizëm-leninizimit duhet të pastrohet. Nuk e pastruan në vitin 1990, shiko ku jemi edhe pas 36 vitesh. Nëse nuk e pastrojmë edhe këtë herë, do i shtyhet Shqipërisë e ardhmja edhe për 100 vite të tjera dhe do jetë shpresë e humbur për të jetuar në këtë vend”, tha pedagogu Lush Susaj.

Megjithatë, ngërçi i të rinjve është Kodi Zgjedhor që favorizon dy partitë e mëdha me peshën kryesore në Parlament. Mateo Yskollari tregon për Top Channel studimin e mundësive se si kjo forcë e të rinjve do të prezantohet në vijim, me logon e një partie apo jo.

“Duke ditur që Kodi ynë Zgjedhor nuk të lë shumë hapësira siç mund të aplikohej në Serbi për shembull pjesa e listës studentore, ku në Shqipëri është e detyrueshme që të kemi një parti politike ose mund të zgjedhësh kandidatë të pavarur për deputetë, por që ndoshta mund të mos jetë zgjidhja më e mirë e duhur. Është diçka që duhet parë, padyshim që studentët janë duke punuar aktualisht me një lëvizje kombëtare studentore”.

Në rrjete sociale është krijuar profili i lëvizjes së re që po ngrihet ku kërkohet mobilizimi i strukturave studentore, me thirrjen për tu regjistruar përmes kartës së studentit. Ndërsa një tjetër grupim po mblidhet nën sloganin “rini nacionaliste”. Për profesorin Lush Susaj, bashkimi i studentëve në një forcë politike është vendimtare për vendin.

“Ajo që më shqetëson mua është vetëm fakti që duke qenë popull me pjekuri të ulët politike, një popull që i kemi vrarë e i kemi zhdukur elitat, e kemi mbetur në dorë të pseudoelitave; kam frikë se gjithë kjo dhunë, shantazh po e shtyn këtë cak që duhet ta kalojë shoqëria shqiptare”, deklaroi pedagogu Susaj.

Tashmë të rinjtë besojnë se ashtu siç studentët sfiduan Vuçiçin, me anë të një alternative politike në të njëjtën mënyrë do të mund të rrëzojnë Ramën. Top Channel