Deputeti i PS-së Vullnet Sinaj, i ftuar në emisionin Minuta e parë tha se e ka votuar reformën territoriale, pas mbledhjes së bërë nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Sinaj dha detaje të reja në lidhje me reformën territoriale. Ai deklaroi se Selenica nuk do të shkrihet. Sipas tij, reforma nuk ka mbaruar, pasi do caktohen edhe buxhetet e statusi i njësive të caktuara. Sinaj nënvizoi se qytetarët do marrin sërish shërbimet aty ku i merrnin. “Nuk kam pasur asnjë ultimatum. Unë kam mbajtur të njëjtin qëndrim si në ditën e parë dhe të fundit. Pastaj, u kalua në një vendim tjetër, që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi që Selenica të bashkohet me Vlorën. Selenica nuk do shkrihet, por bashkohet me Vlorën. Bashkia Vlorë do ketë tre qytete, që janë Vlora, Selenica dhe Orikumi. Reforma nuk ka mbaruar, do përcaktohet dhe çfarë statusesh do të kenë qytetet. Unë si deputet do përpiqem që të ndikoj që kompetencat e qytetit të Selenicës të jetë të larta, që të përballohen kërkesat e banorëve. Ndryshimi nga bashki e Selenicës më vete në kthim në qytet të Selenicës nuk do të thotë asgjë. Çdo institucion do të mbetet ashtu siç kanë qenë. Qytetarët do marrin shërbimet aty ku i merrnin. Ligji për vetëqeverisjen vendore do përcaktojë përgjegjësitë përkatëse. Do presim edhe Kodin Zgjedhor, për të parë sesa përfaqësues nga Selenica do jenë në Bashkinë e Selenicës”, tha Sinaj.
Vullnet Sinaj shtoi se qeveria duhet që të financojë më shumë bashkitë dhe qytetet, duke shtuar se Selenica do fuqizohet ekonomikisht.
“Selenica sot ka buxhet 6 milionë euro, ku 5 mln janë transferta nga qeveria dhe 1 milionë euro mblidhen nga vetë njësia vendore. Bashkia e Vlorës është 10 herë më e madhe sesa Bashkia e Selenicës. Kam kritikuar gjithmonë sesi ndahet buxheti i shtetit. Duhet të shtohet transferta nga qeveria tek njësitë vendore, që të ketë më shumë investime në infrastrukturë.
Qeveria duhet të financojë më shumë bashkitë e qytetet, Selenica do ketë ngritje ekonomike. Besoj se do ketë ndarje të re territoriale. Duhet të mbështesim këtë reformë. Njësia administrative aty do jetë, Selenica do jetë qytet dhe do presim se çfarë statusi do i jepet. Do punoj maksimalisht që Selenica të fuqizohet ekonomikisht”, përmbylli Sinaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: ekonomia PS reforme serish Selenica selenica qytet vullnet sinaj
