Lajme Zone
Sekretarja e Allajbeut tek OSHIS i jep 1.7 MILIONË € kompanisë së koncesionarit Tan Lleshi
PolitikëJOQ Albania

Sekretarja e Allajbeut tek OSHIS i jep 1.7 MILIONË € kompanisë së koncesionarit Tan Lleshi

Koncesioni i sterilizimit mund të ketë marrë fund në letra, por në realitet, litarët e thesit kanë mbetur në të njëjtat duar. Ndërsa qytetarët shpresonin se kthimi i këtij shërbimi në administrim shtetëror do t’i jepte fund "kullotjes" me paratë e taksapaguesve, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS) e ka nisur aventurën e tij me një skandal që nxjerr zbuluar fasadën e "shtetëzimit".

Koncesioni i sterilizimit mund të ketë marrë fund në letra, por në realitet, litarët e thesit kanë mbetur në të njëjtat duar. Ndërsa qytetarët shpresonin se kthimi i këtij shërbimi në administrim shtetëror do t’i jepte fund "kullotjes" me paratë e taksapaguesve, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS) e ka nisur aventurën e tij me një skandal që nxjerr zbuluar fasadën e "shtetëzimit".

Në një procedurë të mbështjellë me mungesë konkurrence, OSHIS, nën drejtimin e Arisa Canes, i ka dhuruar 1.5 miliardë lekë, ose rreth 1.7 milionë euro, kompanisë “GAMASERVICE”. Tenderi për transportin rezervë të materialeve mjekësore dhe mbetjeve spitalore ka përfunduar në duart e këtij subjekti pa asnjë rival, duke u shpallur fitues me një ofertë sa 96.6% e fondit limit.

Kur një kontratë milionëshe jepet pa u ballafaquar asnjë çmim tjetër në treg, transparenca nuk është thjesht e munguar, ajo është e vrarë që në fillim. Por, nuk është mungesa e garës ajo që shkakton më shumë alarm, është vetë emri pas kompanisë fituese.

“GAMASERVICE” zotërohet nga Artan Lleshi, një personazh që shfaqet si "hija" e përhershme e koncesionit të sterilizimit. Lleshi nuk është një sipërmarrës i rastësishëm, ai ka qenë në hierarkinë drejtuese të “Sani Service”, kompanisë koncesionare që për vite me radhë thithi miliona euro nga buxheti i shtetit dhe që sot është nën lupën e SPAK.

Emri i Artan Lleshit dhe kompanisë së tij nuk janë të panjohur as për prokurorët e posaçëm. Në dosjen hetimore ku janë të pandehur ish-ministri Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, Lleshi shfaqet si një nyje kyçe e transaksioneve financiare mes koncesionarit privat dhe bizneseve të tij gjatë periudhës 2020-2021.

Me sa duket, miqësitë e hershme, ato të bankave të Fakultetit të Mjekësisë mes Lleshit, Rrapajt e Rjepajt, janë më të forta se çdo hetim apo reformë institucionale.

Shteti ka krijuar një kompani publike, OSHIS, me propagandën e kthimit të shërbimit te qytetarët, por në praktikë, kjo kompani po shërben si "lavatriçe" për të vijuar të njëjtin avaz... pasurimin e të njëjtës klikë.

Është një paradoks cinik të shohësh se si paratë e taksapaguesve, që duhet të menaxhoheshin me kujdes nga një ent shtetëror, përfjnë sërish te kompanitë private që kanë qenë pjesë e skemës së dyshuar si kriminale të sterilizimit.

Nëse OSHIS pretendon se po menaxhon shërbimin më mirë se koncesionari, ky tender është prova e kundërt. Ky nuk është shtetëzim, është thjesht një "ndryshim logoje".

Në derën e institucionit mund të shkruhet "Publik", por në xhepat e kujt përfjnë paratë, mbetet e njëjta histori e vjetër. Hija e koncesionit të Ilir Beqajt nuk është larguar, thjesht ka ndërruar "këpucët" dhe po vazhdon të ecë mbi paratë e shqiptarëve, ndërsa institucionet bëjnë sikur nuk shohin lidhjet e dukshme mes së shkuarës dhe së tashmes.