Lajme Zone
Sekretari amerikan i Thesarit paralajmëron Iranin: SHBA do të godasë edhe vendet që bëjnë biznes me Teheranin
BotëTop Channel

Sekretari amerikan i Thesarit paralajmëron Iranin: SHBA do të godasë edhe vendet që bëjnë biznes me Teheranin

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar një ofensivë të gjerë ekonomike ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA-të po hyjnë në “fazën e fundit të lojës”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar një ofensivë të gjerë ekonomike ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA-të po hyjnë në “fazën e fundit të lojës”. Në një artikull të publikuar në Financial Times, Bessent tha se “një Ditë-D ekonomike” po afron për Teheranin, duke e cilësuar atë si “ofensivën më të madhe financiare” të ndërmarrë ndonjëherë kundër një kundërshtari.

Sipas tij, objektivi i Uashingtonit është të ndërpresë linjat ekonomike që mbështesin regjimin iranian dhe ta lërë Teheranin pa mbështetje financiare nga jashtë.

Bessent paralajmëroi në mënyrë të drejtpërdrejtë vendet dhe kompanitë që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Iranin. Ai akuzoi “mundësuesit e Iranit” se blejnë dhe transportojnë naftën iraniane, lehtësojnë transferimet e karburantit përmes rrugëve detare dhe lejojnë përdorimin e bankave të tyre për transaksione që SHBA i konsideron të paligjshme. “Pasojat” për vazhdimin e këtij bashkëpunimi pritet të jenë pjesë e masave që administrata Trump mund të shpallë.

Deklaratat e Bessent vijnë vetëm pak ditë pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi vetë një “Ditë-D ekonomike” kundër Iranit. Trump ka kërcënuar se vendet që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin do të përballen me “pasoja të jashtëzakonshme ekonomike”.

Administrata amerikane po përpiqet të rrisë presionin ekonomik ndaj Iranit për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.

Bessent dha gjithashtu një paralajmërim të fortë për vetë Iranin. Sipas tij, nëse Teherani zgjedh t’u përgjigjet ushtarakisht masave ekonomike të SHBA-së, Trump do të reagojë “shpejt dhe me vendosmëri”.

Deklaratat e sekretarit të Thesarit pritet të marrin më shumë qartësi gjatë konferencës së tij për shtyp, ku administrata amerikane mund të zbulojë detaje të reja mbi masat ekonomike ndaj Iranit. Top Channel