Lajme Zone
Sadushi, reflektim në mbyllje të mandatit në krye të GJL: Me përgjegjësi për atë që bëmë, me besim për atë që vjen
Të tjeraReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Sadushi, reflektim në mbyllje të mandatit në krye të GJL: Me përgjegjësi për atë që bëmë, me besim për atë që vjen

Reflektim në përfundim të mandatit si Kryetar i Gjykatës së Lartë

Në përfundim të gjashtë viteve në drejtimin e Gjykatës së Lartë, ndiej përgjegjësinë të flas për atë që arritëm, për atë që mbeti pa u bërë dhe për atë që kjo detyrë më ka mësuar. Kur kthehem pas, kujtoj njerëzit me të cilët kam punuar, vendimet e vështira dhe çastet kur kemi gjetur forcë te njëri-tjetri për të vazhduar. Më 17 tetor përfn mandati im si kryetar i Gjykatës së Lartë, ndërkohë që shërbimi si gjyqtar vazhdon, bashkë me përgjegjësinë ndaj njerëzve që presin drejtësi. LEXO edhe...Pas 6 vitesh në krye të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i dorëzon stafetën Ilir Pandës: Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes Në vitin 2020, kur m’u ngarkua kjo përgjegjësi, Gjykata e Lartë ndodhej në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj. Me vetëm një gjyqtar në detyrë dhe mbi 35 mijë çështje në pritje, aftësia e saj për të përmbushur misionin kushtetues ishte vënë në pikëpyetje. Duhej të rindërtonim funksionimin e Gjykatës dhe të dëshmonim, çdo ditë, se besimi te ringritja e saj e kishte bazën te përkushtimi dhe puna jonë e përbashkët. Sot, Gjykata e Lartë është funksionale, me veprimtari gjyqësore të konsoliduar dhe rol më aktiv në njësimin e zhvillimin e praktikës gjyqësore. Reduktimi me rreth 68 për qind i stokut historik të çështjeve është rezultat i një pune të jashtëzakonshme të përbashkët. Ringritja e Gjykatës ka kërkuar edhe kujdes për trashëgiminë e saj dhe forcimin e bashkëpunimit institucional. Rikthimi i kujtesës historike, nderimi i gjyqtarëve ndër breza dhe botimet mbi jurisprudencën kanë forcuar identitetin e saj. Bashkëpunimi me gjykatat më të larta ka zgjeruar praninë ndërkombëtare, ndërsa përfshirja në përgatitjet për zhvillimin në Tiranë të World Law Congress 2027 i ka hapur këtij bashkëpunimi një perspektivë të re. Ndiej krenari për këto arritje, por e di se për qytetarin që ende pret drejtësi, asnjë rezultat i përgjithshëm nuk e zëvendëson përgjigjen për çështjen e tij. Pas çdo dosjeje është një njeri, një familje, një e drejtë që pret të njihet. Prandaj, ulja e çështjeve të prapambetura merr kuptim kur shkurton kohën e pritjes dhe u jep fund pasigurive që rëndojnë mbi jetën e njerëzve. Drejtësia e përmbush misionin e saj kur vendos drejt dhe në kohë. Ky bilanc përfshin edhe atë që nuk arritëm. Shumë çështje presin ende shqyrtimin dhe disa procese mund të kishin ecur më shpejt. Për atë që mbeti pa u arritur, ndiej keqardhje dhe marr pjesën e përgjegjësisë që më takon. Përvoja e viteve më ka bindur se drejtimi kërkon të dëgjosh edhe kur je i bindur për qëndrimin tënd, të respektosh mendimin e pavarur dhe të marrësh vendime të vështira. Kërkesat e larta marrin kuptim kur shoqërohen me vëmendje ndaj vështirësive dhe vlerësim për përpjekjet e secilit. Këto vite kanë kërkuar edhe përballje të forta përtej administrimit të Gjykatës, veçanërisht për përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese. Përfundimi i mandatit kushtetues nuk mund të varej nga dëshira e atij që duhej të largohej, as zëvendësimi dhe emërimi i gjyqtarit të kushtëzoheshin nga presione të çfarëdo natyre. Përgjegjësia e detyrës kërkonte vendime në kohë, të mbështetura në Kushtetutë, ligj dhe fakte të verifikueshme. Jo çdo rrethanë mund të bëhej publike atëherë. Nuk u tërhoqa, i bindur se pavarësia e procesit duhej mbrojtur pikërisht kur presioni ishte më i madh, kundërshtitë të forta dhe mbështetja mungonte. Vlera e këtyre vendimeve shkon përtej zgjidhjes së një ngërçi. Ato mbrojtën fuqinë detyruese të Kushtetutës dhe përforcuan parimin se respektimi i saj qëndron mbi vullnetet individuale dhe interesat e çastit. Këto përballje më kanë bindur se përgjegjësia institucionale kërkon të veprosh në kohën e duhur dhe të përballosh pasojat e qëndrimit tënd. Kjo bindje ka udhëhequr edhe qëndrimet për hartimin e Kodit Penal, garancitë kushtetuese të magjistratëve, zgjidhjen e bllokimit të pagave, sigurinë e gjyqtarëve dhe mbrojtjen e lirisë personale. Fjala publike duhej të shoqërohej me veprim institucional. Përballë politikës, nga çdo krah, parimi ka mbetur i njëjtë - pavarësia e gjykatës dhe dinjiteti i gjyqtarit nuk mund t’u nënshtrohen interesave të ditës. Kam folur sa herë kam çmuar se pavarësia e gjykatës dhe dinjiteti i gjyqtarit viheshin në rrezik, pavarësisht se nga vinte presioni. Përmbushjen e përgjegjësive e kam kërkuar edhe nga institucionet e vetë drejtësisë. Këshillit të Lartë Gjyqësor i kam drejtuar publikisht shqetësime për më shumë lidership, për marrjen e përgjegjësive, për kushtet e punës, për sigurinë në gjykata dhe mbrojtjen institucionale të gjyqtarëve. Mbrojtja e gjyqësorit kërkon të pranojmë hapur edhe mangësitë brenda tij dhe të kërkojmë korrigjimin e tyre. Vetëm kështu institucionet forcohen dhe meritojnë besimin e publikut. Kam respektuar kritikën e argumentuar, edhe kur ka qenë e ashpër. Ajo na detyron të japim shpjegime dhe na ndihmon të përmirësohemi. Për akuzat, qëndrimi im është po aq i qartë. Kush ngre një akuzë, duhet të mbajë përgjegjësi për vërtetësinë e saj. Përsëritja e një të pavërtete nuk e kthen atë në fakt. Çdo verifikim mbi punën dhe integritetin tim është i mirëpritur. Sulmet kanë pasur edhe kosto personale. Ato prekin njeriun dhe familjen e tij, sado e fortë të jetë bindja në punën e ndershme. Nuk kanë qenë të lehta. I kam përjetuar si njeri, edhe kur kam zgjedhur të mos përgjigjem publikisht. Kam besuar se forca e bindjeve dëshmohet me qëndrueshmëri dhe vendime, pa pasur nevojë për zhurmë. Nuk kam lejuar që sulmet personale dhe provokimet të më diktojnë fjalën, të më ndryshojnë vendimet apo të më tërheqin nga përmbushja e detyrës. Përmbajtja ka qenë zgjedhje e vetëdijshme për të ruajtur dinjitetin e detyrës, por kur janë cenuar parimet kushtetuese dhe pavarësia e gjyqësorit, kam folur dhe kam vepruar me vendosmëri. Dinjiteti më ka kërkuar të mos i përgjigjem çdo sulmi. Përgjegjësia nuk më ka lejuar të hesht apo të tërhiqem kur duhej vendosur. Në këto përballje, mbështetja e njerëzve me të cilët kam punuar më ka dhënë forcë dhe më ka kujtuar se sa shumë vlen besimi i tyre. Ndaj mirënjohja ime më e thellë u drejtohet kolegëve gjyqtarë, këshilltarëve ligjorë dhe administratës. Pas çdo arritjeje të përbashkët qëndrojnë orët e gjata të punës, lodhja dhe gatishmëria e tyre për të marrë përsipër edhe një detyrë më shumë. Respekti dhe afërsia që më kanë treguar, veçanërisht në ditët e vështira, më kanë bërë të ndihem i vlerësuar dhe krenar që kam punuar me ta. I falënderoj me gjithë zemër për përkushtimin dhe ngrohtësinë njerëzore që e kanë bërë këtë rrugëtim të paharrueshëm. U jam mirënjohës të gjithë atyre që më besuan e na mbështetën, si edhe atyre që na kritikuan me të drejtë. Besimin e tyre e kam ndier si një përgjegjësi për ta përligjur çdo ditë me punë dhe dinjitet. Familjes sime i detyrohem një falënderim të veçantë për durimin dhe praninë në çaste që publiku nuk i sheh. E di sa kohë i ka marrë kjo detyrë dhe sa shqetësime ka mbajtur bashkë me mua. Në këtë përfundim mandati, ndiej thellë edhe pjesën e saj në gjithçka që kam mundur të bëj. Me mirënjohje për rrugën e përshkuar, ia dorëzoj drejtimin e Gjykatës së Lartë kolegut tim, Ilir Panda. Përvoja, serioziteti profesional dhe cilësitë e tij njerëzore më japin bindjen se do ta përmbushë me dinjitet këtë përgjegjësi. Do të ketë mbështetjen time të plotë, me respekt për autoritetin dhe pavarësinë e tij në drejtim. Suksesi i tij do të jetë sukses i Gjykatës dhe një kënaqësi e veçantë për mua. Besoj te njerëzit që do ta vazhdojnë këtë punë, sepse ua njoh përkushtimin dhe aftësinë për të përballuar vështirësitë. Vlera e asaj që kemi ndërtuar do të dëshmohet edhe në vazhdimësinë e saj, në arritjet dhe në shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve. Këtij qëllimi do të vazhdoj t’i shërbej përkrah kolegëve të mi, me të njëjtin përkushtim. Do të doja që këto vite të kujtoheshin për drejtësinë që arritëm t’u japim njerëzve, për qëndresën kur pavarësia e kërkoi dhe për kurajën për të pranuar sa shumë mbetet ende për të bërë. E dorëzoj drejtimin me mirënjohje dhe me qetësinë se nuk iu shmanga përgjegjësisë. Si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, do të vijoj të dëgjoj me vëmendje, të gjykoj me paanësi dhe të mbroj pavarësinë e gjyqësorit. Përgjegjësia ime vazhdon përballë çdo njeriu që pret drejtësi. SI.E./ReportTv.al sokol sadushi gjykata e larte Komento Komente Mara emigrante ne Itali: 17/10/2026 10:56 Sadush iku vapa me Gushtin bashke tani fillojne shirat dhe besoj qe reɓeshi do te bjere mbi ju qe u tallet me ligjin . Përgjigju Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.3% Jo 78.1% Disi 3.5% Vota total: 3505 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?