Lajme Zone
Sa stres të jetosh në Tiranë
PolitikëCNA

Sa stres të jetosh në Tiranë

Nuk është hiç e lehtë të jetosh sot në Tiranë. Problemet e v...

Nuk është hiç e lehtë të jetosh sot në Tiranë. Problemet e vjetra dhe të tranzicionit janë stivë dhe, për fat të keq, në vend që të pakësohen sa vijnë e shtohen.

Aksioni më i fundit për lirimin e hapësirave publike ka krijuar një huti dhe panik. Hapësirat publike janë bërë aq të shumta, sa kryeqytetasit e kanë gjithnjë e më të vështirë të zgjedhin se ku ta kalojnë kohën e lirë. Në sheshe, lulishte, parqe, trotuare të gjera, hapësira mes pallateve. Një stres më vete.

Por problemi më serioz janë pemët. Sikur të mos mjaftonin ato të mbjella shekullin e kaluar, bashkia në vend që të marrë sopatën dhe të nisë rrallimin, nuk po ndalon së mbjelluri fidanë. Edhe qeveria mendon se duhet shtuar druri! Statistikat flasin vetë: është 20 fishuar numri i banorëve që në pranverë vuajnë nga alergjitë dhe stresi që krijon ngjyra e gjelbër. Pa folur për zogjtë, që kanë pushtuar kurorat e pemëve dhe përveçse ndotin trotuaret, me cicërimat e tyre e kanë çuar në nivele alarmante ndotjen akustike.

Bashkia duhet të kujtohet se jetojmë në shekullin e 21, në kohën e Inteligjencës Artificiale, dhe jo në kohën e njerëzve që jetonin në pyll!

Edhe terrenet sportive në çdo lagje po krijojnë shqetësime serioze. Fëmijët dhe të rinjtë luajnë futboll, basketboll e volejboll deri vonë në mbrëmje dhe banorët ankohen se nuk i zë gjumi nga zhurma. Deri dje ankoheshin se fëmijët nuk i shqitnin dot nga celulari dhe duhej përdorur forca për t'i nxjerrë jashtë shtëpisë, sot ankohen se nuk po u vijnë fëmijët në shtëpi.

Një çështje tjetër që kërkon hetim të shpejtë është ajo e semaforëve. Dikush (ndoshta i nxitur nga ideja e modernizimit) ka vendosur semaforë pothuajse në çdo kryqëzim, ndërkohë që në Tiranë praktikisht nuk ka trafik. Qytetarët detyrohen të presin, kot më kot, dritën jeshile në rrugë bosh. SPAK duhet të verifikojë kush i ka porositur dhe për çfarë qëllimi është bërë ky tender.Shatërvanët janë një tjetër bezdi. Ujë që rrjedh kot, freskon sheshet dhe u jep një arsye më shumë fëmijëve të luajnë aty dhe të mos kujtohen për prindërit në familje.

Edhe realizimi më në fund i premtimit për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë ka sjellë pasoja ekonomike. Bizneset që shesin ujë të ambalazhuar po përballen me krizë serioze. Banorët nuk kanë më arsye të blejnë ujë, të kujdesen për depozitat apo mirëmbajtjen e pompave. Një industri e tërë rrezikon të zhduket duke nxjerrë pa punë mijëra vetë.

Por kulmi i telasheve është në verë. Nuk thonë kot: "halli, hallit nuk i ngjan". Në një kohë kur Europa po "përcëllohet" nga vala e nxehtë afrikane dhe banorët kërkojnë dëshpërimisht më shumë pemë, hije dhe gjelbërim, tironsit kanë hallin e kundërt: duhet të durojnë hijen e pemëve, freskinë e parqeve dhe flladin që qarkullon mes pallateve. Një tmerr i vërtetë! E sikur të mos mjaftonte kjo, në vend që të falënderojnë, bashkinë e qeverinë, ata ankohen e madje protestojnë..."

Thonë se njeriu kërkon gjithmonë atë që s’e ka. Europa do fresk. Kryeqytetasit, me sa duket, nuk dinë as vetë se çfarë duan. Siç thonë vetë tironsit: "i ka myt e mira" Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.