Komisioni Zgjedhor i Rusisë njoftoi se ka regjistruar më shumë se një mijë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës që mbështet procesin zgjedhor, ndërsa zgjedhjet parlamentare po zhvillohen në vend që prej së premtes. “Janë regjistruar më shumë se një mijë sulme DDoS ndaj infrastrukturës ruse të përfshirë në procesin zgjedhor”, deklaroi Ella Pamfilova, kryetare e Komisionit Zgjedhor, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Sulmet DDoS (Distributed Denial-of-Service) synojnë të mbingarkojnë sistemet kompjuterike me një numër të madh kërkesash të njëkohshme, duke penguar funksionimin normal të tyre.
Sipas Pamfilovës, sulmet “u kryen nga grupe shumë profesionale dhe të koordinuara mirë, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale”, ndërsa pjesa më e madhe e tyre erdhi “nga jashtë vendit”.
Ajo tha gjithashtu se ishin ndërmarrë sulme të synuara ndaj infrastrukturës së telekomunikacionit në Rusi dhe pretendoi se sulmet “mbajnë shenja të ndërhyrjes së Ukrainës”.
Pretendimet për origjinën e sulmeve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Të shtunën, në ditën e dytë të votimit, Komisioni Zgjedhor rus kishte raportuar gjithashtu se sistemi elektronik i votimit ishte përballur me një “sulm kibernetik shumë të fortë”, i cili, sipas autoriteteve, vijoi gjatë gjithë ditës.
Votimi po zhvillohet edhe në mënyrë elektronike në rreth 30 zona të vendit. Top Channel

