Rusia do të rikthehet te negociatat për një marrëveshje afatgjatë të furnizimit me gaz me Serbinë pas formimit të institucioneve të reja shtetërore në Beograd. Kështu deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, gjatë një konference për shtyp. E pyetur për qëndrimin e Moskës ndaj zhvillimeve politike në Serbi pas zgjedhjeve, si dhe për njoftimin se një delegacion i Listës Studentore synon të udhëtojë drejt Rusisë për të negociuar një kontratë afatgjatë gazi, Zakharova tha se Moska po i ndjek nga afër zhvillimet në vend. Ajo u shpreh se Rusia shpreson që Serbia ta kalojë me sukses periudhën paszgjedhore, ndërsa theksoi se bisedimet për marrëveshjen e gazit duhet të rifillojnë pasi të formohet qeveria e re dhe të paraqiten kërkesat zyrtare. “Sa i përket njoftimeve të përfaqësuesve të Listës Studentore për bisedimet me Rusinë mbi marrëveshjen e gazit, mendoj se duhet t’i kthehemi kësaj teme pas formimit të autoriteteve shtetërore në Serbi dhe kur ata të dërgojnë kërkesat zyrtare përkatëse”, deklaroi Zakharova. Zëdhënësja ruse shtoi se kontaktet mes përfaqësuesve të dy vendeve, edhe jashtë kanaleve qeveritare, kanë vijuar pa ndërprerje. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm t’i mirëmbajmë ato në frymën e respektit të ndërsjellë”, tha ajo.
Më herët, Radomir Saičić kishte deklaruar për revistën “NIN” se Lista Studentore synon të dërgojë një delegacion në Moskë për të zhvilluar negociata mbi një marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz të Serbisë, në vend të kontratës afatshkurtër tre mujore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

