“Unë betohem se do ta ushtroj profesionin tim me ndërgjegje dhe dinjitet, se shëndeti i të sëmurit do të jetë për mua shqetësimi më i lartë…”
Kështu thotë Betimi i Hipokratit, një betim i shenjtë që dikur është thënë me dorën në zemër edhe nga Bruna Mersini, sot kryetare e Bashkisë së Vlorës dhe dikur drejtoreshë për vite me radhë e Spitalit Rajonal. Por sot, në Vlorën e “portës së turizmit” dhe të diellit, ky betim është shkelur me abetare, pasi qyteti është zhytur në makthin e një krimi të paralajmëruar, ku uji i rubinetit është shndërruar në një koktej vdekjeprurës fekalesh.
Fëmijët e pafajshëm të Kopshtit nr. 10 janë helmuar rëndë nga prania e E. coli (2 MPN), baktereve koliforme, amoniakut dhe klorit zero, një fakt i vulosur zyrtarisht nga analiza (Raporti nr. 7977, datë 06.11.2026) dhe i konfirmuar nga NJVKSH Vlorë më 08.11.2026. Ndërkohë, Spitali Rajonal po mbushet çdo ditë e më shumë me pacientë të tjerë, fëmijë dhe të rritur, që vuajnë nga diarreja dhe helmimet. Fillimisht, ky skandal u tentua të fshihej pas justifikimit banal të “ushqimit”, por e vërteta doli lakuriq: fajtor është uji i qytetit.
Kjo nuk është një fatkeqësi apo aksident natyror, por produkt i drejtpërdrejtë i një sistemi të kalbur. Ironia e fatit është e trashë dhe therëse: gruaja që dikur “menaxhonte” urgjencat spitalore si mjeke dhe drejtoreshë, tani, nga karrigia e kryetares së bashkisë, po e sheh spitalin e saj të vjetër të mbushet me njerëz të helmuar nga lëngu i ndotur i qytetit që ajo vetë drejton. A e dini vallë se në disa lagje të Vlorës, si tek Lirimi apo te O. Haxhia, klori rezidual është zero, ndërsa në të tjera mbahet në kufirin kritik prej 0.1? A po i pyet dikush se ku shkojnë lejet e ndërtimit dhe kush i kontrollon bizneset që derdhin pa kriter?
Në këtë skandal zinxhir, përgjegjësia bie drejtpërdrejt edhe mbi Klevis Kason dhe ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë. Drejtori i emëruar politikisht, ish-kryetar i PS-së në Vlorë dhe ish-nënkryetar bashkie, prej muajsh po e kalon qytetin nga një avari në tjetrën (kujtojmë ato të dhjetorit 2025, majit 2026 e kështu me radhë). Tani, ata na japin për të pirë ujë me fekale dhe amoniak. Ata që duhet të garantonin klorin, kontrollin e rreptë të depozitave dhe sigurinë e rrjetit, po u shesin qytetarëve bakteret. Ku janë analizat e rregullta? Ku është llogaridhënia kur klori është zero dhe E. coli bën kërdinë brenda institucioneve të fëmijëve?
Për më tepër, situata rëndohet nga bizneset që derdhin lirshëm fekale, hotele, restorante dhe struktura të shumta në Lungomare dhe përgjatë gjithë bregdetit. Prej vitesh është e dokumentuar se dhjetëra kanale ujërash të zeza derdhen drejtpërdrejt në det, përfshirë zemrën e Lungomares. Shumë prej këtyre bizneseve operojnë me sisteme të dyshimta ose pa asnjë lidhje të rregullt në rrjetin e kanalizimeve. Ato paguajnë taksa, marrin leje nga Bashkia e Vlorës dhe më pas derdhin mbetjet pa u penguar nga askush. Kush i kontrollon vallë? Kush i gjobit? Apo “marrëveshjet” dhe lejet e tavolinës janë bërë më të shtrenjta se shëndeti i fëmijëve të Vlorës?
Kjo katastrofë ka pasur edhe mburojën e heshtur të institucioneve që kishin detyrimin ligjor të kontrollonin dhe nuk e bënë: Bashkia Vlorë, UKV, NJVKSH, Inspektorati i Shëndetit, Agjencia e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Tani që skandali ka shpërthyer hapur, ata dynden në terren duke bërë “analiza çdo dy orë”, por ku ishin këta zotërinj kur klori ishte zero dhe amoniaku helmonte qytetin? Ku janë raportet e mëparshme dhe ku strehohet transparenca e munguar? Vlora, e cila mburret si “porta e turizmit” dhe “qyteti i detit”, sot u jep fëmijëve të vet ujë të përzier me fekale. Kjo nuk është thjesht neglizhencë e thjeshtë, por një neglizhencë e organizuar, një pasojë e emërimeve politike në sektorët kritikë dhe e mbylljes së syve ndaj atyre që ndotin për të kursyer.
Përballë kësaj situate alarmante, kërkohet me forcë dhe urgjencë: Publikimi i menjëhershëm i emrave të bizneseve që kanë derdhje të parregullta dhe ilegale.
Zbardhja dhe publikimi i rezultateve të plota të analizave laboratorike.
Përgjegjësi penale e drejtpërdrejtë për të gjithë ata që lejuan klorin zero dhe kontaminimin fekal.
A do të japin dorëheqjen drejtuesit që e katandisën qytetin në këtë katastrofë shëndetësore, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë në karriget e tyre sikur asgjë të mos ketë ndodhur? Fëmijët tanë nuk duhet kurrë të përfjnë në spital vetëm sepse dikush harroi të hidhte klorin dhe dikush tjetër lëshoi ujërat e zeza në det. Ky nuk është thjesht një dështim administrativ, por një krim i mirëfilltë ndaj shëndetit publik.

