Kostandin Foni, përfaqësues i Shoqatës së Transportit Publik Tiranë, ka deklaruar se masa e marrë sot për reduktimin e flotës së autobusëve me 30% është vetëm masa e parë. Sipas tij, në rast se institucionet nuk do të ndërhyjnë për plotësimin e kërkesave të tyre, një prej të cilave është heqja e akcizës për naftën, flota e autobusëve do të reduktohet deri në 50%. “Kërkesat tona janë adresuar në të gjitha institucionet që nga marsi, mbi trendin e rritjes së çmimit të karburantit, i cili nuk është rritur vetëm në Shqipëri, por në rang botëror. Në vendet e rajonit mbështeten dhe subvencionohen sektorët që kanë lidhje me shërbimet publike. Jemi në muajin e gjashtë dhe çmimi i karburantit është mbi 200 lekë. Na u premtua që, nëse nuk do të ketë ulje çmimi, do të diskutonim, por kjo nuk ndodhi. Reduktimi i numrit të autobusëve është jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, Durrës, Berat, Lushnjë, Fier, Vlorë, pra në rang vendi. Reduktim në nivel qytetas, ndërqytetas dhe interurban. Kërkesat tona janë bazike. Nuk i kemi kërkuar ne, por janë të implementueshme dhe për këtë sektor duhet të ishin implementuar, që operatorët të mos dorëzoheshin para çdo krize. Kërkuam heqjen e akcizës së karburantit. Nesër na është lënë takim me tri ministri.
Ne njoftimin e kemi bërë. Kjo është masa e parë, pra reduktimi i flotës me 30%. Nëse institucionet janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë prioritet qytetarët, faji është i tyre për atë që do të ndodhë.
Nëse brenda një jave ose 10 ditësh nuk reagojnë, do të merren masa të tjera. Do të jemi të detyruar të ulim kapacitetin deri në 40-50%, për të mos shkuar drejt mbylljes.
Kjo sjell kaos, ku qytetarët, nga 3-4 minuta që prisnin autobusin, do të shkojnë në 14-15 minuta.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
