Donald Trump / I dobësuar nga humbja e kontrollit mbi Kongresin, presidenti amerikan hyn në dy vitet e fundit të mandatit pa pengesat e zakonshme elektorale. I zhgënjyer nga kufizimet e diplomacisë dhe i përqendruar te trashëgimia që do të lërë pas, ai mund të kërkojë aventura të reja ushtarake, veçanërisht në Iran dhe Kubë. Një president që nuk ka më shumë për të humbur politikisht, mund të bëhet edhe më i paparashikueshëm në skenën ndërkombëtare... Humbja e zgjedhjeve të mesmandatit e ka shndërruar Donald Trumpin në një president politikisht të dobësuar, në një “rosë të çalë”, siç quhet në terminologjinë politike amerikane një udhëheqës që e ka humbur ndikimin mbi institucionet dhe nuk ka më perspektivë reale për të fituar një mandat tjetër.
Për presidentët që nuk mund të kandidojnë sërish, humbja e kontrollit mbi Kongresin, shënon zakonisht fillimin e një periudhe kur vëmendja zhvendoset nga politika e brendshme drejt marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kur humbasin mundësinë për të miratuar ligje të rëndësishme dhe për të çuar përpara agjendën e tyre të brendshme, presidentët amerikanë priren ta kërkojnë trashëgiminë politike në politikën e jashtme.
Kompetencat e gjera presidenciale në këtë fushë u japin më shumë liri veprimi, pasi nuk përballen çdo ditë me të njëjtat pengesa parlamentare dhe elektorale. Në fund të mandatit, disa prej tyre janë përpjekur të realizojnë nisma madhore diplomatike.
Për shembull, Bill Clinton, bëri një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por periudha e dytë e dobësimit politik të Trumpit mund të jetë shumë më e rrezikshme se ajo e paraardhësve të tij.
Ai e ka përjetuar një situatë të ngjashme edhe pas zgjedhjeve të nëntorit 2020, kur në vend që të pranonte humbjen, u përpoq të përmbyste rezultatin zgjedhor, ndonëse provat tregonin qartë fitoren e Joe Biden.
Trump është presidenti i parë në një shekull që ka shërbyer në dy mandate jo të njëpasnjëshme. Për këtë arsye, ai është gjithashtu i vetmi president në historinë e afërt amerikane që po përjeton një periudhë të dytë të zgjatur si “rosë e çalë”, e cila kësaj radhe mund të zgjasë më shumë se dy vjet.
Me demokratët që pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Trump do të përballet me hetime të mundshme parlamentare, kërcënimin e një procedure të re shkarkimi dhe shqyrtimin e marrëdhënieve të biznesit të familjes së tij. Një situatë e tillë mund ta bëjë atë edhe më të zemëruar dhe të prirur për të reaguar në mënyrë impulsive. Pikërisht këtu qëndron rreziku. Një Trump i bllokuar në një qoshe, pa një objektiv të qartë dhe konstruktiv në politikën e jashtme ku mund të kanalizojë energjinë e tij, mund të kërkojë përballje ndërkombëtare.
Kongresi me shumicë demokrate, mund ta kufizojë në shumë aspekte të politikës së brendshme, por ndikimi i tij mbi vendimet e përditshme të presidentit në marrëdhëniet ndërkombëtare mbetet i kufizuar.
Trump mund të kërcënojë sërish Kanadanë, të godasë më tej aleancat amerikane ose të bëjë lëshime ndaj Rusisë dhe Kinës në kurriz të Ukrainës dhe Tajvanit. Megjithatë, shndërrimi i këtyre kërcënimeve në politika konkrete do të kërkonte përgatitje të konsiderueshme, si zhvendosjen e trupave amerikane apo negociata të ndërlikuara me fuqitë e tjera.
Ndërkohë janë 2 vende, ku presidenti mund të shkaktojë dëme shumë më të mëdha me një vendim të vetëm: Irani dhe Kuba. Sipas New York Times, administrata Trump dhe Izraeli kanë hartuar plane për sulme të reja ndaj Iranit, të cilat mund të ndërmerren pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Një përpjekje e fundit për ta detyruar Teheranin të kapitullonte, do të kishte pak gjasa të funksiononte, ndërsa pasojat mund të ishin të rënda për ekonominë botërore dhe sigurinë e aleatëve amerikanë në Gjirin Persik. Njëherazi, Trump mund të përpiqet të imponojë ndryshimin e regjimit në Kubë.
Të dyja këto aventura ushtarake, mund të nisin me një vendim të drejtpërdrejtë të presidentit, pa pasur nevojë për një proces të gjatë legjislativ. Në mungesë të zgjedhjeve të tjera, kufizimi i tij kryesor do të ishte perceptimi për trashëgiminë që do të linte pas.
Në përgjithësi, presidentët amerikanë konsiderohen në periudhën e “rosës së çalë”, kur nuk kanë më nevojë të përballen me zgjedhje presidenciale apo të mesmandatit. Për një president që humbet garën për rizgjedhje, kjo periudhë zgjat vetëm disa muaj, nga zgjedhja e pasardhësit deri në inaugurimin e tij.
Për një president të mandatit të dytë, ajo mund të zgjasë deri në dy vjet, nga zgjedhjet e mesmandatit deri në largimin nga Shtëpia e Bardhë. I çliruar nga detyrimi për të bërë fushatë dhe shpesh pa kapitalin e nevojshëm politik për të miratuar reforma të brendshme, presidenti mund të përqendrohet te diplomacia.
Historia amerikane ofron disa shembuj të kësaj prirjeje. Në fund të mandatit të tij të dytë, Clinton u përpoq të ndërmjetësonte një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve, si dhe të organizonte një vizitë presidenciale në Korenë e Veriut.
Pas humbjes së zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2014, Barack Obama përfi marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe normalizoi marrëdhëniet diplomatike me Kubën. Edhe përdorimi i forcës ushtarake ka qenë pjesë e kësaj periudhe.
Në fund të vitit 1992, George H.W. Bush ndërhyri në Somali me një mision të kufizuar për të lehtësuar urinë. Ndërsa në vitin 2007, pas një disfate të rëndë republikane në zgjedhjet e mesmandatit, George W. Bush dërgoi përforcime të konsiderueshme ushtarake në Irak, me synimin për të frenuar dhunën dhe për të stabilizuar vendin.
Rezultatet e këtyre përpjekjeve kanë qenë të përziera. Negociatat e Clintonit për paqen në Lindjen e Mesme dështuan. Arritjet diplomatike të Obamës rezultuan jetëshkurtra, ndërsa ndërhyrja amerikane në Somali, megjithëse ndihmoi në frenimin e urisë, nuk zgjidhi shkaqet e konfliktit.
Përpjekja e mëvonshme e Clintonit për ta zgjeruar misionin përfi në katastrofë. Edhe ndërhyrja e Bushit në Irak e uli përkohësisht nivelin e dhunës, por nuk arriti ta stabilizonte në mënyrë të qëndrueshme vendin.
Megjithatë, këto nisma kishin të paktën një tipar të përbashkët. Ato ishin diskutuar dhe planifikuar me përfshirjen e institucioneve përkatëse dhe të ekspertëve të jashtëm. Objektivat ishin të qarta, edhe kur nuk arriheshin. Presidentët përpiqeshin gjithashtu t’i shpjegonin dhe t'i justifikonin vendimet e tyre.
Këto janë standarde që Trump, gjatë gjithë karrierës së tij politike, i ka respektuar rrallë. Problemi është se, ndryshe nga paraardhësit, ai ka konsumuar tashmë një pjesë të madhe të mundësive për të ndërmarrë iniciativa diplomatike spektakolare.
Në mandatin e parë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015, zhvilloi tri takime me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, zëvendësoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut me një pakt të ri rajonal, ndërmjetësoi normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa vendeve arabe dhe tërhoqi SHBA-në nga një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare.
Pas rikthimit në pushtet në vitin 2025, ai mbikëqyri armëpushimin në Gaza dhe kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Por diplomacia e mbështetur kryesisht te spektakli, presioni dhe deklaratat e bujshme, duket se ka arritur kufijtë e saj.
Për shembull, Trump kërcënoi se do të merrte kontrollin e Groenlandës, por në fund u mjaftua me një marrëveshje që zgjeron praninë ushtarake amerikane në territor. Edhe “Bordi i Paqes”, të cilin e promovoi si alternativë ndaj Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka mbetur në vendnumëro, ndërsa shtetet e tjera nuk ndihen më të detyruara t’i nënshtrohen çdo kërkese të tij.
Ai mund të përpiqet të ndërmjetësojë përfundimin e konflikteve të pazgjidhura në Kashmir apo Sudan, për të fituar imazhin e një paqebërësi. Por këto janë kriza jashtëzakonisht të ndërlikuara edhe për diplomatë me përvojë.
Edhe imponimi i një marrëveshjeje të pabarabartë, do të kërkonte njohuri të thella rajonale, durim dhe aftësi negociuese, cilësi që Trump nuk i ka dëshmuar. Ai rrallë investon kohë të mjaftueshme në diplomaci dhe ka pretenduar vazhdimisht se ka zgjidhur konflikte që në të vërtetë vazhdojnë.
Një mundësi tjetër, do të ishte krijimi i një mekanizmi të përbashkët mes fuqive të mëdha, ku Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping të bashkëpunonin për vendosjen e një rendi të ri ndërkombëtar.
Por takimet e mëparshme të Trumpit me dy udhëheqësit nuk kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme. As Rusia dhe as Kina nuk kanë treguar interes për propozimin e tij për një marrëveshje trepalëshe mbi armët bërthamore. Ato nuk janë të gatshme as të ushtrojnë presion mbi Iranin për të pranuar kushtet amerikane.
Në këto rrethana, Trump mund të thet ta sakrifikojë Ukrainën ose Tajvanin në këmbim të një marrëveshjeje që do t'i mundësonte të shpallte një sukses diplomatik. Por Putini nuk ka treguar interes për kompromis dhe zotëron burimet për ta vazhduar luftën.
Ndërsa Xi e konsideron Tajvanin çështje të brendshme të Kinës, dhe nuk ka gjasa të pranojë kufizime të imponuara nga Uashingtoni. Në fund, Trump mund të kuptojë se një samit spektakolar me Putinin dhe Xinë i shërben më shumë imazhit të tij sesa një marrëveshje që kërkon punë dhe negociata të vështira.
Por rreziku më i madh lidhet me Iranin. Trump duket se beson se përshkallëzimi i luftës mund të thyejë ngërçin dhe të shpëtojë trashëgiminë e tij politike. Por udhëheqësit iranianë nuk kanë gjasa të tërhiqen përballë një vale të re sulmesh. Përkundrazi, ata mund të intensifikojnë goditjet ndaj transportit tregtar detar, të sulmojnë aleatët amerikanë në Gjirin Persik dhe të refuzojnë ofertat diplomatike deri në largimin e Trumpit nga detyra. Edhe mundësitë e presidentit amerikan kanë kufizime.
Një përshkallëzim shumë më radikal, siç do të ishte dërgimi i trupave amerikane në ishullin Kharg, mund të ishte aq jopopullor mes mbështetësve të tij saqë ai do të ngurronte ta ndërmerrte. Edhe përkrahësit më të vendosur të Trumpit po lodhen nga çmimet e larta që ka shkaktuar lufta.
Një konflikt i rinovuar me Iranin, mund ta zhysë në krizë ekonominë botërore. Kuba përbën një tjetër objektiv të mundshëm. Gjatë pjesës më të madhe të këtij viti, administrata Trump ka vendosur një embargo të plotë ndaj ishullit, në përpjekje për të dobësuar aftësitë e tij mbrojtëse.
E shkëputur nga mbështetja ekonomike e Venezuelës dhe me energji elektrike vetëm për disa orë në ditë, Kuba po përjeton një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve ekonomike dhe të vuajtjeve të popullsisë.
Përmbysja e qeverisë kubane është gjithashtu një përparësi personale e sekretarit amerikan të Shtetit dhe këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Marco Rubio. Një ndërhyrje e tillë, do të përputhej me të ashtuquajturën “Doktrina Donroe”, përmes së cilës Trump kërkon të riafirmojë epërsinë amerikane në hemisferën perëndimore.
Nga këndvështrimi i presidentit, një sulm ndaj Kubës mund të duket si një operacion relativisht i lehtë, që nuk kërkon angazhimin e burimeve të mëdha ushtarake dhe që mund t’i japë fund një problemi që ka shqetësuar presidentët amerikanë që nga fundi i administratës së Dëight Eisenhoëerit.
Trump mund të kishte ndërmarrë një hap të tillë më herët, nëse nuk do të ishte përfshirë në luftën me Iranin. Por historia tregon se përdorimi i forcës për të rrëzuar regjime rrallëherë prodhon rezultatet e dëshiruara dhe shpesh shkakton pasoja të paparashikueshme.
Në rastin e Kubës, një ndërhyrje amerikane mund të nxiste një valë të re refugjatësh drejt Shteteve të Bashkuara, duke krijuar një krizë të re humanitare dhe politike. Megjithatë, për një president që kërkon me ngulm një fitore historike, ky mund të duket si një rrezik i pranueshëm.
Trump mund ta shohë përmbysjen e regjimit kuban edhe si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga dështimi i tij në Iran. Ekziston edhe një mundësi tjetër shqetësuese: përdorimi i politikës së jashtme për të pasuruar familjen.
Trump u ka krijuar tashmë aktorëve të huaj mundësi të shumta për të fituar ndikim në administratën e tij përmes përfitimeve ekonomike. Mes tyre përmenden avioni i dhuruar nga emiri i Katarit, investimi prej 2 miliardë dollarësh nga një fond i drejtuar nga princi i kurorës saudite dhe fitimet nga disa sipërmarrje të kriptomonedhave, ku një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave ka ardhur nga blerës të huaj.
Sipas revistës The New Yorker, familja Trump ka përfituar rreth 4 miliardë dollarë nga këto veprimtari. Duke qenë se Senati nuk ka gjasa të sigurojë 67 votat e nevojshme për shkarkimin e tij, presidenti mund të mendojë se nuk ka shumë për të humbur nëse ndjek skema të tjera fitimprurëse, edhe kur ato ngrenë pikëpyetje serioze për konfliktin e interesit dhe përdorimin e pushtetit publik.
Megjithatë, skenari më befasues mund të jetë që Trump të mos bëjë asgjë të rëndësishme në politikën e jashtme. Ai ka qenë i zënë me riformësimin e Uashingtonit sipas shijes së vet: ka ndryshuar dekorin e Zyrës Ovale, ka projektuar një sallë të re balloje në Shtëpinë e Bardhë dhe është përpjekur të riorganizojë Qendrën Kennedy.
Ka të ngjarë që 2 vitet e fundit të mandatit t’i kalojë duke dhënë falje presidenciale, duke nxitur ndjekje penale ndaj kundërshtarëve politikë dhe duke ngritur monumente në nder të vetvetes. Në një administratë, ku ambicia personale dhe spektakli kanë zënë shpesh vendin e strategjisë, nuk mund të përjashtohet edhe ky skenar./Pamfleti nga “Foreign Affairs”rreziqet e një presidenti politikisht të gjymtuar trump Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Progres raporti i BE, Marta Kos mesazh Ramës nga Brukseli: 4 kapituj të mbyllur nuk mjaftojnë, duhet drejtësi e pavarur dhe media e lirë 4 Nëntor 2026, 13:3913:39Rajoni dhe Bota Një humbje që mund të ndryshojë lojën, çfarë po përgatitet në Uashington? Europa bën llogaritë 4 Nëntor 2026, 13:2013:20Rajoni dhe Bota Sfidoi Trump, republikanët dhe vetë demokratët; si arriti kandidati mysliman të përmbyste të gjitha parashikimet në Michigan 4 Nëntor 2026, 12:5712:57Rajoni dhe Bota Humbja në zgjedhjet e mesmandatit, republikanët fajësojnë Trumpin 4 Nëntor 2026, 12:3012:30Rajoni dhe Bota Plani i emergjencës i Shtëpisë së Bardhës pas humbjes, 'dy armët' e Trump kundër demokratëve 4 Nëntor 2026, 12:1012:10Rajoni dhe Bota Humbja e Trump në zgjedhjet e mesmandatit shqetëson Turqinë, Ankaraja në ankth për avionët F-35 4 Nëntor 2026, 11:5811:58Rajoni dhe Bota

