Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për plagosjen e të riut 28 vjecar Erion Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy gjatë protestës së të shtunës në Tiranë, sulm nga i cili rrezikon të humbasë shikimin. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, lidhur me dëmtimin e të riut gjatë protestës. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas ngjarjes së 24 tetorit, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plagosjes së Erion Vishkullit. Në kuadër të hetimeve janë administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartela mjekësore e të dëmtuarit pranë Spitalit Universitar të Traumës. Gjithashtu, Prokuroria po punon për përcaktimin e mënyrës së komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim dërgimin e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve. Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet me dyshimet për përdorimin e tepruar të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore në kryeqytet.
Organi i akuzës bën të ditur se në të njëjtin procedim po hetohet dëmtimi i disa qytetarëve të tjerë, për të verifikuar nëse gjatë ndërhyrjeve policore është respektuar parimi i proporcionalitetit. Deri më tani janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar dhe po kryhen verifikime të mëtejshme në bashkëpunim me AMP-në.
NJOFTIMI
Prokuroria Tiranë nis hetim kryesisht për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave në kryeqytet. Hetime edhe për përdorimin jo proporcional të forcës nga policia
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP). © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

