Një situatë tejet shqetësuese është denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania nga banorë të Njësisë 12, në zonën e Freskut, pranë pallatit “Rekord”.
Sipas denoncimit, një rrjedhje uji ka shkaktuar përhapjen e ujit në zonën ku ndodhen kabllot e energjisë elektrike, ndërsa kabina elektrike raportohet se është e hapur dhe e pambrojtur.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh pasi, sipas qytetarit, në këtë hapësirë luajnë fëmijë, duke e kthyer situatën në një rrezik serioz për ta dhe për banorët që kalojnë pranë.
Uji dhe energjia elektrike në një hapësirë të hapur, ku mund të afrohen fëmijët, janë një kombinim që kërkon ndërhyrje urgjente.
Banorët kërkojnë që institucionet dhe strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për të eliminuar rrezikun, përpara se një pakujdesi të kthehet në një tragjedi.
JOQ Albania apelon për ndërhyrje të menjëhershme. Këtu nuk bëhet fjalë për një problem estetik, por për sigurinë dhe jetën e banorëve.

