Një rrugë e amortizuar, e mbushur me gropa të thella dhe pothuajse e pakalueshme në ditët me reshje shiu. Kjo është situata me të cilën përballen çdo ditë banorët e Rrashbullit. Bëhet fjalë për aksin që të çon drejt shkollës 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj”, ku çdo ditë kalojnë me qindra banorë dhe nxënës. Në ditët me shi, rruga mbulohet nga balta dhe uji, ndërsa drejtuesit e automjeteve detyrohen të kryejnë manovra të vazhdueshme për t’iu shmangur gropave.Lexo edhe:Shi në disa zona të vendit, ja parashikimi i motit për sot Pavarësisht rëndësisë që ka kjo zonë për zhvillimin turistik të Durrësit, infrastruktura rrugore mbetet një problem i pazgjidhur për komunitetin. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për investime luksi, por për një nevojë elementare: një rrugë të sigurt për fëmijët, banorët dhe çdo drejtues mjeti që kalon aty. Në një kohë kur viti 2026 po mbyllet, kjo zonë vijon të përballet me problematika që duhet të ishin zgjidhur prej kohësh.

