Lajme Zone
“Rodrin nuk e kishim në listë”/ Drejtori Deco tregon planet e Barcelonës në merkato: Do të bëjmë edhe një tjetër lëvizje në sulm
SportTop Channel

“Rodrin nuk e kishim në listë”/ Drejtori Deco tregon planet e Barcelonës në merkato: Do të bëjmë edhe një tjetër lëvizje në sulm

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka konfirmuar se klubi katalanas po punon për afrimin e një sulmuesi të ri që do të zëvendësojë Robert Lewandowskin. Ndërkohë, ai ka zbuluar edhe detaje për transferimin e Rodri Hernández.

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka konfirmuar se klubi katalanas po punon për afrimin e një sulmuesi të ri që do të zëvendësojë Robert Lewandowskin. Ndërkohë, ai ka zbuluar edhe detaje për transferimin e Rodri Hernández. Pas fitores 2-1 ndaj Al Ahlyt në Trofeun Joan Gamper, Deco foli për merkaton e Barcelonës dhe konfirmoi se klubi nuk e ka mbyllur ende fushatën e transferimeve.

Largimi i Robert Lewandowskit ka krijuar një boshllëk të rëndësishëm në sulmin e skuadrës së Hansi Flick. Deco pranoi se Barcelona ka alternativa brenda grupit, por shtoi se klubi pritet të bëjë një tjetër lëvizje në merkato.

“Kanë ikur dy lojtarë, Ferran dhe Robert Lewandowski. Rolin e Ferran mund ta mbulojmë me afrimet që kemi bërë, ndërsa zëvendësimi i Robertit është shumë i vështirë. Ai shënoi një epokë me ne. Kemi zgjidhje të brendshme, por me shumë mundësi do të bëjmë një lëvizje. Po punojmë për të gjetur zgjidhjen më të mirë.”

Deco nuk zbuloi emrin e sulmuesit që Barcelona po synon, por mesazhi i tij ishte i qartë: klubi kërkon një qendërsulmues të ri përpara mbylljes së merkatos.

Drejtori sportiv i Barcelonës foli gjithashtu për transferimin e Rodri Hernández, një prej lëvizjeve më të bujshme të merkatos së klubit.

Deco shpjegoi se mesfushori spanjoll nuk ishte pjesë e planeve fillestare, pasi Barcelona mendonte se ai nuk ishte i disponueshëm. Situata ndryshoi sapo u krijua mundësia për ta transferuar.

“Në fillim Rodri nuk ishte në planet tona, sepse mendonim se nuk ishte i disponueshëm. Kur pamë se kishte një mundësi, e provuam dhe e realizuam. Si me Gordon, Adeyemi, Bisiëu dhe Cancelo, çdo lëvizje ka një arsye. Duam të përmirësojmë ekipin dhe Rodri e përmirëson.”

Deco mohoi gjithashtu se Barcelona e transferoi Rodrin me synimin për t’ia rrëmbyer lojtarin rivalit të përjetshëm, Real Madridit.

“Nuk e kemi marrë për t’i marrë një lojtar Real Madridit. Do të ishte gabim. Ai është një nga mesfushorët më të mirë në botë. E dimë çfarë mund të na japë dhe për këtë arsye transferimi i tij ka kuptim.”

Me largimin e Lewandowskit dhe boshllëkun që ai lë në repartin ofensiv, Barcelona duket se nuk do të ndalet vetëm te afrimet e bëra deri tani.

Deco u shpreh i qetë edhe për regjistrimin e përforcimeve dhe theksoi se projekti sportiv i klubit vazhdon të jetë një faktor tërheqës për lojtarët.

Barcelona tashmë ka një objektiv të qartë për ditët e fundit të merkatos: gjetjen e një “9”-shi që mund të marrë përsipër trashëgiminë e Lewandowskit. Emri mbetet ende mister, por Deco konfirmoi se një tjetër lëvizje është në horizont. Top Channel