Rod Stewart ka njoftuar tërheqjen nga turnetë pas më shumë se gjashtë dekadash në skenë. Legjenda britanike e rokut, 81 vjeç, ka bërë të ditur se turneu i ardhshëm, “Rod Stewart: The Final Encore”, do të jetë i fundit i karrierës së tij.
“Pas më shumë se gjashtë dekadash, The Final Encore do të jetë padyshim turneu im i fundit”, deklaroi Stewart në njoftimin e tij për fansat.
Artisti tha se ka kënduar muzikën që dashuron që prej moshës 19-vjeçare dhe se karriera e tij i ka dhënë një jetë përtej asaj që kishte imagjinuar.
“Kam kënduar muzikën që dua që kur isha 19 vjeç dhe kam pasur privilegjin ta sjell atë në botë, për të gjithë ju. Më ka dhënë një jetë përtej çdo gjëje që mund ta kisha imagjinuar ndonjëherë dhe shpresoj, nga ana ime, që t’ju kem dhënë edhe juve kujtime të bukura”, u shpreh ai.
Stewart falënderoi gjithashtu fansat dhe të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij të gjatë muzikor.
“Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për t’ju falënderuar që e bëtë të mundur këtë jetë të mrekullueshme. Shpresoj se do të jeni me mua, në mënyrë që t’ju falënderoj në mënyrën më të mirë që di… me muzikë dhe një shfaqje të mrekullueshme. Shihemi atje”, tha këngëtari.
Turneu “Rod Stewart: The Final Encore” do të nisë në prill të vitit 2027 dhe do të përfshijë koncerte në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës.
Njoftimi vjen pas një periudhe të vështirë përsa i përket angazhimeve të tij në skenë. Muajin e kaluar, Stewart anuloi 11 koncertet e fundit të turneut të tij në SHBA, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje për vendosjen e një stenti.
Me një karrierë që shtrihet në më shumë se 60 vite, Stewart është një nga artistët më të suksesshëm të muzikës. Ai është përfshirë dy herë në Rock & Roll Hall of Fame, si artist solo dhe si anëtar i grupit Faces, ndërsa ka shitur më shumë se 250 milionë disqe në mbarë botën.

