Lajme Zone
Rinia kundër Ramës dhe sistemit që i ka vrarë shpresën
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Rinia kundër Ramës dhe sistemit që i ka vrarë shpresën

Dhjetëra të rinj u mblodhën për të protestuar kundër kushteve në universitete dhe konvikte, kostos së studimeve dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë në Shqipëri. Në protestë morën pjesë edhe aktivistë e qytetarë të përfshirë prej muajsh në lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi në fund të majit kundër projekteve të zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe më pas zgjeroi kërkesat, duke përfshirë çështje më të gjera politike e shoqërore.

Foto Ilustruese / Protesta nisi me kërkesat për arsim publik cilësor, kushte më të mira në universitete dhe konvikte, por u shndërrua në përplasje të dhunshme me policinë. Përtej tensioneve, zëri i të rinjve shpreh pakënaqësinë ndaj një sistemi që, sipas tyre, nuk u garanton arsim cilësor, mundësi punësimi dhe perspektivë në vendin e tyre. Gurë, kangjella metalike të shkulura nga trotuari, xhama të thyer, gaz lotsjellës dhe përplasje me policinë. Kështu u zhvillua protesta studentore e së martës, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Ajo nisi me kërkesa për ndryshime në sistemin arsimor, por përfi në një situatë të dhunshme, ndërsa tensionet u përhapën edhe në rrugët e kryeqytetit.

Dhjetëra të rinj u mblodhën për të protestuar kundër kushteve në universitete dhe konvikte, kostos së studimeve dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë në Shqipëri. Në protestë morën pjesë edhe aktivistë e qytetarë të përfshirë prej muajsh në lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi në fund të majit kundër projekteve të zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe më pas zgjeroi kërkesat, duke përfshirë çështje më të gjera politike e shoqërore.

Në fillim, protestuesit mbanin pankarta dhe brohorisnin kundër qeverisë. “Ne jemi këtu për dijen, jo për marrëzitë e qeverisë!”, ishte një nga thirrjet e tyre. Por pas rreth një ore, situata u përshkallëzua. Disa protestues shkulën kangjella metalike dhe pllaka trotuari, me të cilat goditën godinën e ministrisë.

U hodhën gurë dhe sende të tjera, duke dëmtuar xhamat dhe rrethimin e ndërtesës. Disa prej protestuesve arritën të hynin në oborrin e ministrisë. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion të lartë.

Përplasjet vijuan edhe pasi protestuesit u larguan nga zona përreth ministrisë, ndërsa në mbrëmje tensionet u përhapën në rrugët e Tiranës. Gjatë ngjarjeve u raportuan të plagosur mes protestuesve, efektivëve të policisë dhe gazetarëve që po mbulonin protestën.

Drejtuesi i urgjencës në Spitalin e Traumës deklaroi se një 19-vjeçar ishte shtruar në spital me këmbë të thyer, si pasojë e dhunës policore. Ndihmë mjekësore për shkak të dëmtimeve në kokë kishte marrë edhe një përfaqësues diplomatik austriak.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, deri në atë moment 49 qytetarë ishin shoqëruar në komisariate. Pesë punonjës policie ishin pezulluar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, kishte nisur hetimet.

Përshkallëzimi shënoi një ndryshim nga tubimet e mëparshme të lëvizjes, të cilat për muaj me radhë kishin qenë kryesisht paqësore. Megjithatë, protestuesit argumentuan se dhuna nuk mund të shkëputet nga zemërimi i akumuluar për mungesën e reagimit institucional dhe gjendjen e përgjithshme të vendit.

“Kam qenë protestuese edhe në vitin 2018 dhe sot, në vitin 2026, jam këtu për të mbështetur studentët dhe për të çuar përpara atë që ata lanë pas”, tha Megi Marku, duke iu referuar protestave studentore të dhjetorit 2018. Ato u shënuan nga mobilizimi masiv kundër tarifave universitare dhe kushteve të studimit.

Sipas Markut, arsimi nuk ka qenë përparësi për qeveritë shqiptare gjatë dekadave të fundit. “Bashkë me studentët besojmë se të rinjtë janë e ardhmja dhe se duhet të investohet më shumë tek ata, duke u dhënë përparësi”, tha ajo. Marku shtoi se të rinjtë duhet të kenë mundësi ta zgjedhin Shqipërinë si vendin ku jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Për studentët, problemet nuk kufizohen te infrastruktura universitare. Ata përmendin edhe pabarazinë ekonomike, vështirësitë për të financuar studimet dhe mungesën e mundësive për punësim pas diplomimit.

“Konviktet janë në gjendje të mjerueshme, nuk ka kushte të përshtatshme dhe s’ka asnjë shërbim arsimor që të na garantojë një të ardhme, as nesër dhe as pasnesër. Diplomat që marrim në universitete nuk janë gjë tjetër veçse pasaporta për emigrim”, tha studenti Redjan Shkëmbi.

Ai e lidhi protestën studentore me lëvizjen më të gjerë të muajve të fundit, duke këmbëngulur se të rinjtë duhet të jenë në krye të kërkesave për ndryshim. “Jemi këtu për të treguar se të rinjtë nuk tërhiqen, se nuk heshtin dhe, mbi të gjitha, se ne jemi e ardhmja dhe jemi ne ata që vendosim këtu, askush tjetër!”, u shpreh Shkëmbi.

Laura Kërtalli, studente e arkitekturës, tha se protestuesit kërkojnë kushte më të mira në auditorë e konvikte, si edhe një sistem më meritokratik, ku rezultatet akademike të përkthehen në mundësi konkrete për studime dhe punësim.

Ajo theksoi se protesta e tanishme ndryshon nga ajo e vitit 2018, sepse studentët nuk duan të hyjnë në negociata me qeverinë. Sipas saj, kërkesat duhet të shoqërohen me ndryshime reale dhe jo vetëm me premtime.

Pakënaqësia ndaj qeverisë u shpreh edhe përmes kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit e lidhën largimin masiv të të rinjve nga vendi me mungesën e perspektivës ekonomike dhe shoqërore.

“Arsyeja kryesore pse jemi sot këtu, bashkë me studentët, përpara Ministrisë së Arsimit, është se kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës. Ai mban përgjegjësi për largimin masiv të të rinjve nga vendi, për zbrazjen e auditorëve dhe për faktin se njerëzve, sidomos të rinjve, nuk u jepet mundësia të sigurojnë jetesën në vendin e tyre”, tha protestuesja Albina Ruko.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë protestës ishte kostoja e arsimit të lartë. Megi Mustafaraj, e cila ka përfunduar një master të dytë në Shqipëri, kundërshtoi tarifat më të larta që, sipas saj, u kërkohen studentëve që vijojnë studime të tjera pas përfundimit të masterit të parë.

“Ligji për arsimin e lartë, i miratuar në vitin 2015, më trajton si kliente, jo si studente”, tha ajo, duke kërkuar “arsim publik cilësor dhe falas”. Mustafaraj e cilësoi protestën e 13 tetorit si një tjetër etapë të mobilizimit që prej muajsh po zhvillohet në Tiranë. Sipas saj, lëvizja ka përdorur forma të ndryshme proteste, përfshirë peticione dhe nisma kundër projekteve të investimeve strategjike.

Edhe Martina Selami, e diplomuar në multimedia dhe aktualisht mësuese vizatimi, tha se iu bashkua protestës jo vetëm si ish-studente, por edhe si qytetare që kërkon ndryshim në mënyrën se si funksionon sistemi arsimor.

Ajo ngriti shqetësime për sjelljen e papërshtatshme të disa mësuesve ndaj nxënësve dhe studentëve, si edhe për kushtet ekonomike që i detyrojnë të rinjtë të punojnë me orë të gjata për të përballuar jetesën. “E kam kuptuar se zërat tanë në të vërtetë nuk po dëgjohen”, tha Selami, duke shtuar: “Nuk mund të na mbyllni gojën, vërtet nuk mundeni!”.

Në mbrëmje, situata u përshkallëzua më tej, duke i kthyer disa zona të Tiranës në skena zjarresh dhe përplasjesh. Protestuesit ndezën zjarre në rrugë, veçanërisht në zonën e Rrugës së Durrësit, ndërsa tensionet dhe përplasjet me policinë vijuan për disa orë pas nisjes së tubimit përpara Ministrisë së Arsimit.

Gjatë trazirave u dëmtuan edhe disa biznese private përgjatë rrugëve ku ndodhën përplasjet. Zjarr iu vu edhe hollit të hyrjes së godinës së Bashkisë së Tiranës. Përplasjet gjatë protestës sollën reagime nga organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shprehu shqetësim të thellë për dhunën dhe përplasjet, të cilat, sipas informacioneve të raportuara dhe vëzhgimeve të monitoruesve të tij në terren, shkaktuan lëndime te punonjës policie, protestues dhe gazetarë.

Komiteti dënoi çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush është kryer, dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.

Në deklaratën e tij, KShH theksoi se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Komiteti nënvizoi se aktet e dhunës të kryera nga individë të caktuar nuk mund të përdoren si justifikim për t’i trajtuar të gjithë protestuesit si të dhunshëm. Nga ana tjetër, e drejta për të protestuar nuk e legjitimon dhunën ndaj efektivëve të policisë, gazetarëve apo personave të tjerë.

Sa i përket ndërhyrjes së policisë, organizata rikujtoi se çdo përdorim i forcës duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Ajo kërkoi gjithashtu dokumentimin dhe hetimin e paanshëm të ngjarjeve, përfshirë çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës dhe çdo akt dhune ndaj policëve apo qytetarëve.

Shqetësim të veçantë shkaktuan raportimet për gazetarë të lënduar ose të penguar gjatë kryerjes së detyrës. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSh) dënoi dhunën dhe pengimin e gazetarëve nga punonjës të Policisë së Shtetit. Sipas AGSh-së, Fatime Halmusa, gazetare e Fax Neës, u dhunua fizikisht nga efektivë policie, ndërsa ekipi i A2 CNN u pengua me forcë të raportonte nga protesta.

AGSh dënoi gjithashtu dhunën ndaj Izmir Akullit, kryeredaktor i Dosja.al, i cili, sipas një deklarate publike të drejtorit të medias, u sulmua nga disa efektivë të Policisë së Shtetit pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa po filmonte me telefon dhunën ndaj një studenti. E lënduar gjatë protestës mbeti edhe gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”rinia kundër ramës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Një hendek ekonomik 70-vjeçar: Pse Ballkani Perëndimor nuk po arrin të kapë ritmin e Evropës? 14 Tetor 2026, 11:2011:20Forum “Hip se të vrava, zbrit se të vrava” 14 Tetor 2026, 09:5209:52Forum Kur proteston rinia, bie qeveria! 14 Tetor 2026, 08:5008:50Forum Nga flamingot te gurët 13 Tetor 2026, 19:1919:19Forum Muzeu hebraik në Vlorë, një debat që shkon përtej godinës dhe prek identitetin kombëtar 13 Tetor 2026, 11:3511:35Forum Elitat në bankete, qytetarët në rrugë! 13 Tetor 2026, 11:2711:27Forum